.
×

Intervistë ekskluzive: Avdullah Hoti: Demarkacioni është dështim total i Kryeministrit Haradinaj



 

Botapress, 6 dhjetor- Intervistoi Bajrush Morina

 

“ Marrëveshja e Demarkacionit e ka djegur Kuvendin dhe Prishtinën dhe sjellja e kësaj marrëveshje në Kuvend nuk ka kuptim. Kjo mund të thuhet se është dështim total i kryeministrit Haradinaj”.

Kështu është shprehur ekskluzivisht në një intervistë për Botapress,  Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti .

 

Hoti gjithashtu foli edhe për qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë marrëveshje në rast se kjo e fundit procedohet në Kuvend , ashtu siç është fol ditëve të fundit .

Shefi i GP të LDK-së tha se ende nuk kanë ndonjë qëndrim definitivë për këtë marrëveshje.

 

Tutje ndër të tjera Hoti bëri me dije se kjo qeveri së shpejti do të rrëzohet .

 

Botapress:  Përveç raportit “Bulliqi” ka sjellë huti e “mjegull” edhe vendim i Qeverisë për të proceduar në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin? Pra Haradinaj e ka ngritur dorën për Marrëveshjen e Brukselit por vazhdon të mbetet prapa qëndrimit të tij që të mos votohet kjo Marrëveshje. A keni hasur në ndonjë praktikë të tillë, që sponsoruesi I një Ligji a Marrëveshje ndërkombëtare të kërkoj mos votimin e saj në Kuvend?

Avdullah Hoti : Kjo është anomali. Nuk ka kuptim kjo sjellje e kryeministrit. E ka djegur Kuvendin dhe Prishtinën kundër kësaj marrëveshje, dhe tash të njëjtën e sjell në Kuvend. Është dështim total i tij. Ka zhvilluar fushatë të paparë të dhunshme kundër kësaj marrëveshje dhe tash e voton vetë atë.

 

Botapress:  Si do të veprojë LDK në seancën kur do të procedohet Marrëveshja e Brukselit e vitit 2015. Do ta votoni këtë Marrëveshje, do të votoni kundër apo do të abstenini…

Avdullah Hoti : Ne nuk kemi ndërruar qëndrim. Ne e mbështesim marrëveshjen që është arritur. Kjo marrëveshje është verifikuar nga disa komisione vendore dhe ndërkombëtare. Ne nuk mund tash t’ju besojmë atyre ekspertëve që janë të motivuar politikisht.

Prandaj ne do të mbështesim këtë marrëveshje kurdo që vjen në Kuvend. Por do të vendosim si do të veprojmë para votimit, sepse z.Haradinaj ka mashtruar qytetarët për  dy vite rresht se do ta zhvendos kufirin.

 

Botapresss: Demarkacioni apo “vendimet” e mëdha shkaktuan rënien e Qeverisë Mustafa. A besoni se Demarkacioni do të jetë po ashtu shkak për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?

Avdullah Hoti: Kjo qeveri është e natyrshme se do të bie. Nuk ka kohezion të brendshëm. Në gjoja vendimet e mëdha kanë dështuar plotësisht. Z.Haradinaj duhet të japë dorëheqje përpara se ta prezantojë marrëveshjen e demarkacionit në Kuvend.