.
×

Institucionet vazhdojnë të degradojnë kombinatin “Trepça”



Botapress 1 Dhjetor – Menaxhimi joadekuat i kombinatit metalurgjik “Trepça” dhe moszbatimi i Ligjit për Trepçën, thuhet të kenë futur këtë ndërmarrje në vështirësi të shumta financiare dhe kapacitete minimale prodhuese.

“Trepça” e cila ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi, tani është në fazën e mbijetesës dhe me probleme të mëdha. Që nga paslufta kjo ndërmarrje nuk arriti të rimëkëmbet.

Janë bërë dy vjet prej kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtonte ta rimëkëmbte dhe rivitalizonte ndërmarrjen. Por, si i tillë ky ligj nuk arrti të zbatohet në tërësi, për shkak të, siç thuhet, neglizhencës që treguan autoritetet e vendit karshi ndërmarrjes.

Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

Por, zgjedhjet e parakohshme dhe ndërrimi i qeverive në Kosovë kishin bërë që shumë procese lidhur me rimëkëmbjen e “Trepçës” të zvarriten.

Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça”, i cili do të mundësonte zbatimin e ligjit, u themelua 18 muaj pas miratimit të këtij ligji.

Ndërkohë, pas një greve të minatorëve të “Trepçës” në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës krijoi grupet punuese të cilat kishin për detyrë t’i vlerësonin asetet që janë në pronësi të “Trepçës” dhe përfshirjen e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare si dhe të bënin trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga sindikata e minatorëve të “Trepçës”.