.
×

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë nis vitin akademik me 30 profesorë të dyshimtë



Vetëm dy profesorëve në universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë u është ndërprerë marrëdhënia e punës, nga 30 mësimdhënës, për të cilët Inspektorati i arsimit në Pejë ka rekomanduar muaj më parë që t`u shkëputet kontrata e punës, shkruan sot Koha Ditore.

Inspektorati po ashtu kishte rekomanduar që të hapej konkursi për pranimin e stafit të ri akademik në vend të tyre. Për këta kanë filluar edhe hetimet nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas raportit të siguruar nga gazeta “Koha Ditore”, për çka kishte raportuar për këto gjetje një muaj më parë, janë gjetur shumë diploma të pavërtetuara, me mungesë të kontratave të punës, mungesë të materialeve të tjera të nevojshme brenda dosjeve të tyre, me ligjërim të lëndëve nga persona pa qenë kompetentë për to, me mosrespektim të konkursit për punësim, e kështu me radhë. /Koha Ditore/