.
×

IKSHP’ja tregon masat parandaluese nga koronavirusi



Botapress 25 Janar – Virusi vdekjeprurës që po përhapet në të gjithë Azinë mund të përhapet edhe në Kosovë, në rast të kontaktit me personat që vijnë nga vendet e prekura. Por, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vend. Në Aeroportin “Adem Jashari”, tashmë janë ekipet mjekësore që po e mbikëqyrin situatën në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

Përmes një komunikate drejtuar medieve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonalë të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësorë që të ngrenë nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

“Mundësia e përhapjes së këtij virusi ekziston në çdo vend, në rast të kontaktit me burimin e infeksionit siç janë personat që vijnë nga vendet e prekura me këtë virus. IKShPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë bën mbikëqyrjen e rasteve gjatë tërë vitit, dhe përcjell situatën epidemiologjike”, thuhet në komunikatë.

Deklarojnë se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vend, por se ekipet mjekësore po e mbikëqyrin situatën në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

“Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse. Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit”, njofton IKSHP’ja.

Më poshtë gjeni masat parandaluese

Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.

Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes.

Hidhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.

Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.

Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.