.
×

I bashkohen marshit për liri të shprehjes, por kjo liri mungon në shtetet e tyre



Shumica e liderëve të cilët morën pjesë në marshin që kishte për qëllim lirinë e shprehjes dhe të shtypit, duket se ishin në vendin e gabuar, raporton KTV.
Sepse, liria e shtypit në shtete të tyre përkatëse është në nivelet më të ulëta sa i përket indeksit të lirisë së shtypit për 2014, të bërë nga “Reporterët pa kufij”.
Këtu nuk përjashtohen as Kosova që u përfaqësua nga presidentja Atifete Jahjaga dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, por edhe Shqipëria që u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama, e klerët fetarë.
Kështu, në indeksin e “Reporterëve pa kufij”, për lirinë e shtypit për vitin 2014 Kosova zë vendin 80, derisa Shqipëria të 85-in.
Pjesërisht e lirë, por me përparim modest ishte arsyetimi i “Reporterëve pa kufij” për indeksin që vlerësonte Kosovën, marrë parasysh se kishte lëvizur nga vendi 85 më 2013 në vendin e 80 një vit më pas, përcjell koha.net. Madje, nëntë prej shteteve, delegacionet e të cilëve ishin në Paris, të dielën ndodhen në renditjen më kritike sa i përket lirisë së shtypit.
Sidoqoftë, rreth një milion persona dhe rreth 50 delegacione nga shtete të ndryshme botërore morën pjesë në Marshin e unitetit në Paris. Marshi është mbajtur në shenjë solidarizimi me gazetarët e vrarë të gazetës satirike “Charlie Hebdo” të mërkurën në Paris, por edhe për 4 pengjet e vrara të premten në një dyqan, po ashtu në kryeqytetin francez.