.
×

Hoxhaj s’përmend Haradinajn: Jemi me Krasniqin e Zyrapin



Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas lajmit se edhe Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës e anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, është ftuar nga Gjykata Speciale. Sot, Hoxhaj ka shkruar se janë me Jakup Krasniqin e me Bislim Zyrapin, por nuk ka përmendur Ramush Haradinajn, shefin e tij në ekzekutiv, i cili u ftua në të njëjtën kohë me këta dy të parët. “Ka vetëm një krim që ka ndodhur në Kosovë. Ka vetëm një agresor. Ka vetëm një palë viktimë. Ka vetëm një popull që ka luftuar për liri e pavarësi. Ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë. Dje, sot dhe nesër jemi me Jakup Krasniqin e Bislim Zyrapin të cilët do ta dëshmojnë, si përherë, pastërtinë e luftës. Nuk ka barazim të krimeve të agresorit me viktimën”, ka shkruar Hoxhaj. Edhe në reagimin e djeshëm, Hoxhaj më shumë është marrë me pasojat e tërheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit. “Me keqardhje e kam marrë lajmin e dorëheqjes së papritur të Kryeministrit Ramush Haradinaj. Lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe asnjë gjykatë nuk mund ta cënojë pastërtinë e saj”, ka shkruar Hoxhaj një ditë më parë. “Ky është një zhvillim serioz për vendin. Pas kthimit nesër nga SHBA-të të Kryetarit Kadri Veseli, si PDK do t’i diskutojmë hapat e ardhshëm, të cilat do t’i ndërmarrim në pajtim me interesat madhore dhe të ardhmen e Kosovës”, ka shtuar më tej.