.
×

Hoxha: Të arriturat nga MSA-ja janë të shumta, mbesim të përkushtuar për zbatim të shtuar



Sot është zhvilluar diskutim në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja: “Mbështetje për komunikimin e procesit të integrimit në BE” që synon promovimin e standardeve të BE-së në katër sektorët prioritarë: Mbrojtja e Konsumatorit, Bujqësia, Siguria e Ushqimit dhe Siguria në Punë, në kuadër të MSA-së.

Në këtë diskutim, mori pjesë Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë-Përfaqësuesi Special i BE-së, Nataliya Apostolova, dhe bartës të përgjegjësive të sektorëve në diskutim, njofton Klan Kosova.

Përfitimet që vijnë si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Republikës së Kosovës, janë të shumta ceku Ministrja Hoxha, njëherësh shpreh vullnetin e qytetarëve dhe përkushtimin e institucioneve tona për të qenë pjesë e BE-së.

Nga viti në vit, kemi shënuar trend pozitiv të implementimit të reformave në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së, por presim që gjatë vitit 2019 të kemi zbatim të shtuar, ceku Ministrja, dhe shtoi se rezultatet janë mjaft premtuese.

Ministrja Hoxha potencoi se “mbesim të përkushtuar që të punojmë intensivisht në realizimin e reformave, për të treguar rezultate të shtuara sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

MSA-ja trason rrugën tonë drejt integrimit në BE, drejt opsionit tonë të vetëm për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme, jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin si tërësi. Përkundër arritjeve të rëndësishme në këtë drejtim, në ende kemi shumë punë për të bërë, tha në fund të fjalës së saj, ministrja Hoxha.