.
×

Hoti: Nëse dikujt duhet t`i ndalohet ushtria, atëherë ajo është Serbia



Botapress 7Dhjetor-Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se nëse ekziston ndonjë shtet i cili nuk duhet të ketë ushtri, atëherë ai shtet është Serbia.

Këto deklarime Hoti i ka bërë në një reagim në profilin e tij në ‘facebook’, teksa u ka rikujtuar kundërshtarëve të fromimit të Ushtrisë së Kosovës, kryeministres serbe Brnabiq dhe presidentit serb, Vuçiq, se Ushtria serbe është përgjegjëse për spastrimin etnik dhe gjenocid.

“Nëse ndonjë shteti duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë kjo vlen për Serbinë. Ushtria e juaj, z.Vuçiq dhe znj. Bërnabiq, është e komprometuar, ngase ka ende duart e përgjakura. Është ushtria e juaj ajo për të cilën dihet botërisht se ka shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid, ka dhunuar e vrarë gra e foshnje, në Kosovë, Bosnje e gjetiu”, ka shkruar deputeti i LDK-së, raporton Gazeta Express.

Zyrtari i LDK-së thotë e për këtë Serbia duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës dhe Bosnjës.

“Andaj, kërkoni falje popullit të Kosovës e të Bosnjës, për tragjeditë e shkaktuara”, ka thënë ai.

Ai thotë se Ushtria e Kosovës do të jetë një forcë që do të garantojë paqe dhe do të anëtarësohet në NATO e misionet paqeruajtëse nëpër botë.

“Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë. Do të ndërtohet dhe kalitet që të ndihmojë popuj të tjerë gjithandej globit, të cilët mund të përfshihen në tragjedi të ngjashme, me ato që pësuam ne, nga falangat gjenocidale të ushtrisë serbe”, ka përfunduar Hoti.

Diskutimet rreth Ushtrisë së Kosovës janë ri aktualizuar shumë pasi Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nisma për transformimin e FSK-së në Ushtri po bëhet në një kohë jo të duhur, dhe se një nismë e tillë mund të ketë pasoja fatale për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.