.
×

Hoti: Blloku i palëkundur për të liruar shtetin nga udhëheqësit ‘suprem’ dhe uzurpuesit



Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një sërë kritikash në drejtim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar për ‘heshtjen’ e Hasanit ndaj partisë së Hashim Thaçit.

Lexojeni të plotë postimin e Hotit:

Gjykatësi Hasani po na informon në baza ditore se çfarë nuk mund të bëjë ‘Blloku i shumicës’ në Kuvendin e Kosovës – se nuk mund të shkarkojë Znj.Brovina, se propozimi për Kryetar të Kuvendit i takon vetëm PDK-së, se (çuditërisht) grupi parlamentar po u caktuaka nga KQZ-ja e jo nga vullneti i lirë i deputetëve etj.

Me këto deklarime, ai po merr rolin e supremit, që tregon se çfarë mund e çfarë nuk mund të bëjnë deputetët.

Ndërsa, nuk e thotë asnjë fjalë për uzurpimin që PDK-ja i ka bërë Kuvendit të Kosovës, duke shtyrë në mënyrë kundërligjore seancën konstituive, duke ndërprerë seancën pa asnjë bazë ligjore etj.

Ta kuptojmë drejt Gjykatësin Hasani se me këto ai ‘’nuk po përzihet në politikën ditore’’, siç deklaron vazhdimisht.

‘Blloku i shumicës’ në Kuvendin e Kosovës është i palëkundur për të liruar shtetin nga udhëheqësit ‘suprem’ dhe uzurpuesit e institucioneve, për ta kthyer supremitetin tek qytetarët dhe për ta forcuar shtetin demokratik.