.
×

Histori tronditëse e viktimës së terrorit serb Ahmet Stranës



Në vendosjen e luleve sot gjatë ditës tek pllaka përkujtimore e viktimave të masakrës së tregut në Mitrovicë, që kishte ndodhur më 13.03.1999,  ishte i pranishëm edhe Tafil Ahmet Strana, të cilit  19 vjet më parë në këtë masakër i kishin pësuar edhe gjashtë familjarë të tij.

 

 

 

I mërzitur  dhe i indinjuar për moskujdesin e qytetarëve dhe institucioneve  ndaj pllakës përkujtimorë të vendosur në tregun e Mitrovicës, Ahmeti rrëfeu edhe për ngjarjen tronditëse dhe të pakuptimtë që i ka ndodhur atij qe 19 vjet me radhë, shkruan Botapress.info

 

 

 

Ai  fillimisht tregoi se si në ditën e tregut të para 19 viteve, nga granata që e hodhën kriminelët serbë në  vendin ku sot ishin tubuar, pësuan edhe gjashtë familjarë të tij. Një vajzë e axhës së tij kishte mbetur e vdekur, tjetra pa të dyja këmbët, ndërsa e treta po ashtu ishte e plagosur rëndë. Nga copat e granatës ishin plagosur atë ditë edhe babai, nëna dhe vëllai i tij.

 

 

 

“Të gjithë u dërguan në spitalin e qytetit që menaxhohej nga serbët dhe ku punonte vetëm personeli serb, por jo edhe shqiptarët. Të gjithë u liruan nga atje, duke përfshi edhe vajzën e vdekur të axhës, por babai im nuk u kthye kurrë”, filloi rrëfimin e tij Tafili.

 

 

 

Ai tregon se babait të tij, Ahmet  Stranës, i ishte këputur  këmba nga granata dhe po vazhdonte mjekimin në spital, ku pranë i rrinte një  vëlla i tij për tu përkujdesur dhe ndihmuar në ofrimin e shërbimeve.

 

 

 

“Mirëpo, vëllai që rrinte me të tregon se si mjekët nuk ishin fare të kujdesshëm ndaj babit dhe se nuk i jepnin terapinë e duhur mjekësore ashtu si duhet. Pas pak ditësh babai ynë vdes në spital, por që mjekët nuk e japin fletë lëshimin  për ta dërguar në familje për ta varrosur. Duke pritur në spital fletë lëshimin, vëllai që i qëndronte pranë babait, vëren se si kufomën e tij e nxjerrin jashtë disa ushtarë, të cilët po e ruanin spitalin dhe e varrosin në hapësirën e spitalit brenda rrethojës, në pishat e atyshme. Në ndërkohë personeli mjekësore e dëbon vëllanë jashtë rrethojës dhe kështu ai kthehet në shtëpi dhe tregon se çka ka ndodhur”, rrëfen historinë dhembshme të të atit Tafili.

 

 

 

Por, historia e kufomës së Ahmet Stranës, është dhembshme dhe të tmerron kur njeriu sot e dëgjon. Familjarët e Ahmetit që nga atëherë, pra 19 vjet të plota pas masakrës, nuk ju është mundësuar që të zhvarrosin kufomën e të ndjerit, për ta varrosur në mënyrë dinjitoze në varrezat e qytetit.

 

 

 

“Deri në përfundim të luftës, serbët nuk na lejuan që të zhvarrosim kufomën e babait. Pas përfundimit të luftës shpresuam se kjo punë do të kryhet shumë shpejtë. Por u mashtruam keq. KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut dhe më vonë ajo e EULEX-it, vazhdimisht refuzuan kërkesën tonë për të bartur kufomën nga hapësira e spitalit , për ta varrosur  me ceremoni të rregullt e sipas traditave në varrezat e qytetit. Gjithnjë na thoshin se për këtë duhen procedura të veçanta, por që asnjëherë nuk i ndërmorën. Megjithëkëtë, shpresat se një ditë varrin e babait tonë do ta kemi në varrezat e qytetit, nuk i kemi humbur”, tha ai ndër të tjera./Botapress/