[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Hiqen mbi 100 thasë mbeturina nga liqeni i Badovcit



Mbi 100 thasë me mbeturina janë mbledhur sot nga dhjetëra vullnetarë në një aksion pastrimi te liqeni i Badovcit, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Aksioni i sotëm u fokusua te pastrimi i hapësirave përskaj liqenit dhe hapësirave të brezit rrugor, ndërsa thasët e mbledhur nga vullnetarët u larguan nga Kompania “Pastrimi”.

“Let’s Do It” shpreh shqetësimin për ndotjen e vazhdueshme të brigjeve rrugore, shkaku i hedhjes së mbeturinave nga veturat, “andaj kërkojmë nga qytetarët të jenë më të përgjegjshëm”. Po ashtu, shqetësuese është edhe hedhja e mbeturinave në hapësirat skaj Badovcit, pasi ato po rrisin nivelin e ndotjes në Liqen.

Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj ka kërkuar nga qytetarët dhe institucionet që maksimalisht të kujdesen për këtë pjesë, pasi nga aty furnizohet me ujë të pijshëm thuajse e tërë Kosova. “Në kuadër të aksionit ta pastrojmë Kosovën sot kemi ardhur në Badovc, për ta pastruar këtë hapësirë e cila fatkeqësisht është në gjendje shumë të keqe. Qëllimi është që përveç pastrimit, të kërkojmë përgjegjësi prej institucioneve edhe prej qytetarëve të pandërgjegjshëm. Prej këtij liqeni furnizohet me ujë pothuajse tërë Kosova dhe është shndërruar në një deponi, kjo nuk do koment”, ka thënë Hasanaj.

Ai tha se masë parandaluese për ndotjen e zonave të tilla janë gjobat për ndotësit, andaj për këtë kërkoi angazhimin e Policisë dhe inspektorëve.

“Numri i deponive që janë larguar janë mbi 500 në territorin e Kosovës. Vetëdija është rritë. Është debat gjithandej për gjendjen e mjedisit në Kosovë. Presim ndërmarrjen e disa aktiviteteve për përmirësim të gjendjes, është gjobitja, policia gjelbër. Problem kemi me brezin rrugor, kemi gjendje jo të mirë dhe mbeturina gjithandej”, tha Hasanaj.

Po ashtu, “Let’s Do It” njofton se në kuadër të aktiviteteve të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është mbajtur trajnim me 33 mësimdhënës në Klinë. Trajnimi “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, do të vazhdojë edhe nesër në këtë komunë, për ta vazhduar pastaj javëve të tjera në komuna tjera të Kosovës. Ky trajnim është mbajtur edhe në Komunën e Istogut dhe Podujevës, ndërsa organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe drejtoritë komunale të arsimit.

Këto trajnime synojnë rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.

Menu Title