.
×

Hidhet poshtë vendimi për gjobitjen e Halitit e Dreshajt, çështja kthehet në shqyrtim kryesor



Xhavit Haliti e Gani Dreshaj nuk kanë arritur të bëhen deputetë në legjislaturën e re të Kuvendit, por ata do të vazhdojnë të përballen me drejtësinë për veprime që kanë kryer në mandatin e kaluar.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur ta kthejë në shqyrtim kryesor rastin e dënimit me gjobë të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, raporton KTV.
Ata ishin dënuar për sulm ndaj Arben Gashit të LDK-së në ngjarjen që kishte ndodhur brenda sallës së Kuvendit më 18 maj të 2018-s.
Kështu, paneli i udhëhequr nga vetë kryetarja e Themelores, Afërdita Bytyçi ka vendosur që kjo çështje të shkojë në gjykim pas ankesës së avokatit Kujtim Kërveshi, që mbron Halitin.
Ai ka thënë se qëllimi i tyre është të provojnë që Prokuroria qysh në fillim, nuk kishte të drejtë të ngriste fare aktakuzë, shkaku se deputetët kanë imunitet për veprimet dhe deklarimet brenda Kuvendit.
Aktvendimi që mban datën 9 janar 2020, e ka anuluar atë paraprak dhe ka vendosur në favor të mbrojtjes së Halitit, ani se ky ishte ankuar edhe më herët, por ajo ishte hedhur poshtë si e pasafatshme.
Por, paneli aktual ka vlerësuar se kolegët e tyre në aktgjykimin e 12 dhjetorit të 2019-s, e kishin llogaritur gabimisht afatin ligjor.
“Nga shkresat e lëndës, rezulton se i pandehuri Xhavit Haliti, më 6 nëntor 2019, e ka pranuar aktgjykimin e 14 tetorit me udhëzimin juridik se mund të kundërshtohet i njëjti, në afat prej 8 ditësh nga data e pranimit dhe nga shkresat e lëndës, rezulton se më 13 nëntor, avokati Kujtim Kërveshi ka parashtruar kundërshtim kundër këtij aktgjykimi, pra brenda afatit ligjor”, thuhet në aktvendim.
Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte kërkuar nga Gjykata shqiptim të urdhrit ndëshkimor, pra vetëm dënim me gjobë, e të mos shkohet fare në gjykim kryesor.
Ish-deputetët, Xhavit Haliti dhe Gani Dreshaj, janë dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë për veprën penale ‘sulm’.