[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

“Hey terrorista”, thirrja që i bënin njëri-tjetrit grupi që planifikonin sulm ndaj Policisë së Kosovës



 

 

Hetuesi policor, me kodimin “Premtimi”, i cili së bashku me hetuesin tjetër me kodimin “Tafili”, në vitin 2013, ishin infiltruar si shitës të armëve dhe kishin inskenuar planin për tu takuar me tani pesë të akuzuarit për terrorizëm, tha se pasi ua kishin dorëzuar armët atyre, njëri prej tyre u ishte drejtuar të tjerëve me fjalët, “Hey terrorista”.

Këtë deklaratë, dëshmitari me nofkën “Premtimi”, e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Valon Shala, Ardian Mehmeni, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni, të cilët pretendohet se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, në vitin 2013.

 

“Premtimi”, dëshminë e tij e ka dhënë përmes videolinkut, pasi që ishte vendosur që t’i fshihej identiteti, duke iu mbuluar fytyra dhe ndryshuar zëri.Kërkesën për fshehjen e identitetit të dy hetueseve, e kishte bërë prokurori Drew Engle, në seancën e 7 shkurtit të këtij viti, me arsyetimin se ata ndihen të rrezikuar pas kërcënimeve anonime që kishin marrë pas arrestimit të të akuzuarve.

Ndryshe, prokurori Engle me 4 maj 2018, ia kishte kaluar lëndën prokurorit të prokurorisë speciale Afrim Shefkiu, për shkak se EULEX-i, pritet të përfundojë misionin e tij në Kosovë, më 14 qershor të këtij viti.

Dëshmitari “Premtimi”, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shefkiu, tregoi se ai dhe hetuesi tjetër “Tafili”, kishin hetuar rastin e pesë të akuzuarve dhe se si kishin zhvilluar planin e fshehtë për të kuptuar qëllimin e këtyre personave.

Ai tha se kishte qenë i involvuar në këtë rast, sipas autorizimeve të dhëna me urdhër të gjykatës për simulim, pasi bazuar në informacionet që i kishin marrë, sipas tij, një grup i Gjilanit kishin planifikuar të blejnë armë, dhe se qëllimi kishte qenë sulmi ndaj stacioneve policore apo pikave kufitare të Policisë së Kosovës.

“Detyra ime ka qenë për t’iu afruar atyre të cilët kishin qenë të interesuar të blejnë armë në masë më të madhe dhe sipas informacioneve paraprake që kishim, ata kanë pasur të blejnë armë ofensive ushtarake, për të sulmuar policinë”, tha dëshmitari.

Ai tha se me 29 gusht 2013, kishte filluar simulimin e këtij rasti dhe se i pari që e kishte telefonuar kishte qenë i akuzuari, Genc Selimi.

“Unë kam pranuar një telefonatë nga një person i cili më është prezantuar Genci, dhe ai ka kërkuar të takohemi të nesërmen dhe pasi kam pranuar, jemi takuar në rajonin e Pejës në “Market Nora”, në Klinë, me 5 tetor 2013, në ora 14:00”, tha ai.

Sipas dëshmitarit, pasi ishin takuar me të akuzuarin Selimi, ai i kishte treguar se ishin të interesuar që të blinin armë të “shkaut”, një jelek, një “M 84” – pushkë automatike e një potenciali më të madh se “AK 47”, me arsyetimin se këto armë i duheshin për tregti.

Ai tha se atë ditë kishin arritur marrëveshje që për 15 armë “AK-47”, t’i blejnë me çmim prej 250 euro për copë.Pas arritjes së kësaj marrëveshje, sipas dëshmitarit, i akuzuari Selimi e kishte prezantuar edhe me tre persona të tjerë, të cilët ishin duke pritur jashtë në parkingun e lokalit dhe se njëri nga ta kishte shprehur interesim për “C4”, si dhe ishte diskutuar për snajper, si dhe për shurdhues – silenciatorë.

Sipas dëshmitarit, kishin lënë një takim tjetër për t’i parë armët dhe se ishin marrë vesh që ata t’i blinin 15 kallashnikov të prodhimit jugosllav.Takimi tjetër i radhës, dëshmitari tha se ishte bërë në të njëjtin vend me 28 tetor 2013, në të cilin takim i akuzuari Selimi, kishte ardhur me dy shokë të tij, të cilët pasi i kishin parë armët, e kishin diskutuar edhe një herë çështjen e pagesës.

“Gjatë diskutimit, ata na ofruan në këmbim edhe automjetin Mercedes, me të cilin kishin ardhur në vlerë 1.500 euro, ndërsa paratë tjera në dorë kesh”, tha dëshmitari.Pasi dëshmitarit i kërkohet që nga kamera të identifikojë ndonjërin nga të akuzuarit që kishin marrë pjesë në atë takim, ai identifikoi tre të akuzuarit Genc Selimi, Valon Shala dhe Ardian Mehmeti.

Ndërsa, sipas tij, pranim- dorëzimi i armëve ishte bërë me 5 nëntor 2013, në hyrje të Parkut të Gërmisë, në Prishtinë.Ai tha se atë ditë ua kishin dorëzuar të akuzuarve armët për të cilat edhe kishin arritur marrëveshje, dhe se ata ua kishin dorëzuar veturën “Mercedes”, në këmbim të parave, dhe ishin larguar.

“Në marrëveshje kanë qenë 15 armë dhe një snajper, po janë dorëzuar vetëm 13 dhe një snajper për çështje teknike. Nga tani të akuzuarit për blerjen e armëve kemi pranuar 1.900 euro para të gatshme, ndërsa kanë mbet me i kompensu edhe për snajper prej çmimin 750 euro, ku vlera totale ka qenë 3.750 euro”, tha ai.

Sipas këtij dëshmitari, në ditën kur ishte bërë dorëzimi i armëve, kishin qenë të pajisur me pajisje të vëzhgimit, po ashtu ishte bërë edhe fotografimi, si dhe incizim i zërit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Valon Shala, avokatit Nikë Shala, dëshmitari tha se i akuzuari Shala kishte qenë pjesë e këtij grupi, por mohoi se ishte në dijeni nëse ky grup kishte pasur financim nga ndonjë organizatë terroriste.

Ndërsa, në fund, dëshmitari “Premtimi” tha se nuk e dinte nëse ky rast kishte pasur apo jo prapavije terroriste.Ndryshe, pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit me nofkën “Premtimi”, mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Mehmeti, avokati Murat Demolli, i propozoi gjykatës që Mehmetit t’i ndërpritet masa e paraburgimit, pasi sipas tij, ai që 4 vite e 8 muaj gjendet në këtë masë.

Mirëpo, këtë propozim të avokatit Demolli e kundërshtoi prokurori Shefkiu, dhe e refuzoi trupi gjykues në kryer me gjykatësin Naser Foniqi, me arsyetimin se nuk kishin pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase.

Seancat e radhës pritet të mbahen me 29 dhe 30 maj 2018, në ora 10:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”,  “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”,  “zjarrëvënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi  rrezikut të përgjithshëm”,  “armëmbajtje pa leje”.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “sulm”.Kurse, Musli Hyseni, ngarkohet nga prokuroria  me veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “moslajmërim të përgatitjes së veprave penale” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale “armëmbajtja pa leje”./betimipërdrejtësi/.

Menu Title