[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Heshtja e Speciales, ende nuk dihet vendimi për propozim-aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit



Botapress, 24 tetor – Përkundër që tashmë ka skaduar afati gjashtë mujor nga propozimi i aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Gjykata Speciale në Hagë vazhdon të jetë e heshtur.
Telegrafi ka provuar të marrë një përgjigje nga Dhomat e Specializuara në Hagë, nëse këto propozim-aktakuza janë konfirmuar ose jo, mirëpo deri në këto momente nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Ndërkaq, më herët zëdhënësja zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, Angela Griep ka pohuar se edhe nëse aktakuza konfirmohet, gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhëroj mos zbulimin e përkohshëm të saj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do të hedhë poshtë ose konfirmojë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, Rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar, e cila mund të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj.

Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedure”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Për heshtjen e Speciales, më herët ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, duke thënë se presidentit Hashim Thaçi po i shkelen të drejtat elementare të njeriut nga Gjykata Speciale, e cila s’po tregon asgjë lidhur me aktakuzën e propozuar ndaj tij.

Kujtojmë se, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Presidenti Thaçi më herët ka paralajmëruar se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Presidenti Thaçi është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Hagë gjatë muajit korrik, ndërkaq intervistimi i tij kishte zgjatur katër ditë.

Pas intervistimit, ai kishte thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës. Presidenti është shprehur i bindur se do të dal i suksesshëm nga kjo sfidë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe për liri, dhe se për këtë kanë pasur përkrahjen e botës.

Menu Title