[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Helena Kadare rrëfen: Kur fshihja përkthimet nga Ismaili



Pasi Qendra Kombëtare i dorëzoi shkrimtares Helena Kadare një çmim mirënjohjeje, studiuesja dhe zëvendësdekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Rakipllari, tregoi se si dhjetë vite më parë ndërsa lexonte romanin “Shosha” të Isaac Bashevis Singer-it, beteja e saj për të “ngulur në të dhëmbët redaktorialë” nëse haste gabime gjuhësore ishte e humbur.
Ose më sakë, ajo si lexuese, por edhe pasionante e gjuhës, u ndie e fituar me një përkthim mjeshtëror.
“Dukej sikur nobelisti polak kishte shkruar në shqip. E impresionuar, iu riktheva frontescriptit të librit dhe pashë që përkthyese ishte pikërisht zonja Helena. E lehtësuar nga surpriza e këndshme e lashë mënjanë lapsin, me të cilin korrigjoja gabimet dhe vijova leximin.
Shqipja e asaj vepre, por edhe e veprave të tjera që zonja Helena ka përkthyer, arrin të përkapë e të përcjellë pa i përthyer dimensione botëkuptimore dhe përsiatje që jo gjithnjë janë të afërta për lexuesin shqiptar.

Nuk duhet harruar se Përkthimi, ashtu si edhe procesi i krijimit, rrallë mund të jetë një proces automatik që ndodh sa hap e mbyll sytë, por ka nevojë për atë që Umberto Eco e quante enciklopedi (të gjerë), për përmasa kulturore që një europianiste par excellence, si zonja Kadare, i ka pasur jo vetëm ushqim shpirtëror, por edhe i shpërfaq natyrshëm në kontributin e saj për letrat shqipe”, u shpreh Rakipllari.
E nxitur nga ky ngacmim, Helena Kadare tregon lidhjen e saj të veçantë me përkthimin.
“Ka qenë për mua një çlodhje dhe gëzim i madh. Kur isha në Shqipëri, mendoja:
‘Sa bukur ata që jetojnë atje, mund të hyjnë në librari dhe të gjejnë gjithçka duan’. Këtë e provova vetë kur shkova në Francë. Kur lexoja ata libra të bukur thosha: ‘Pse të mos i ketë edhe lexuesi shqiptar?!’. Kështu i përktheja me shumë dashuri”.
Mirëpo duket se shkrimtari Ismail Kadare ka pasur një tjetër perceptim për përkthimin, ndoshta duke njohur edhe potencialin e Helenës shkrimtare.
“Ai e quante humbje kohe. Mirëpo Ismaili e konsideronte përkthimin si humbje kohe. Madje kur punoja për të në kompjuter, merresha dhe me përkthimet, dhe sapo ai hynte në dhomë unë i fshihja në sirtar. Një ditë hyn vajza dhe unë e bëra menjëherë këtë gjest duke menduar se ishte Ismaili dhe ajo më thotë me humor: ‘Po punon në të zezë?!’”.

Menu Title