.
×

Haziri: Ta zbulojmë dhe ekspozojmë thesarin e pasur të trashëgimisë kulturore



Gjilan, 14 maj / Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorë, ka marrë pjesë në promovimin e Planit Rajonal të Trashëgimisë – Lindjes, që është përgatitur në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Qendrën për Trashëgimi Kulturore me mbështetje të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës,  me qëllim të promovimit, restaurimit dhe investimit në zbulimin e materialeve që i takojnë trashëgimisë kulturore të kësaj pjese të Kosovës.

Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se Komuna e Gjilanit si pjesë e një projekti të përbashkët për ndërtimin e Muzeut të qytetit, ka dhënë në shfrytëzim këtë objekt për të qenë më e lehtë puna, në ndërtimin e muzeut të trashëgimisë kulturore dhe muzeut të qytetit të Gjilanit.

Haziri u shpreh se ky plan vetëm sa e forcon edhe më shumë këtë rrugë për ekspozimin dhe zbulimin e thesarit që është në këtë regjion të Kosovës.

“Komuna e Gjilanit ka lëshuar këtë objekt për Qendrën e Trashëgimisë Kulturore si pjesë e projektit të përbashkët për ndërtimin e Muzeut të trashëgimisë dhe Muzeut të qytetit të Gjilanit, që përfshinë regjionin tonë. Sot ne kemi planin dhe programin për ndërtimin e trashëgimisë kulturore, meqë Gjilani është pjesë e Kosovës dhe natyrisht është trashëgimi e pa zbuluar, e pa identifikuar, e pa gjetur dhe e pa mbrojtur. Shpresoj shumë që me ndihmën e Këshillit të Evropës, një institucion i cili ka ndihmuar Gjilanin dhe Kosovën në vazhdimësi por edhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, të ndikojmë në gjetjen dhe në zbulimin e thesarit të trashëgimisë në regjionin tonë, në mënyrë që ta ekspozojmë dhe ta bëjmë të prekshëm për gjeneratat që janë sot dhe ato që do të vijnë në të ardhmen”, tha kryetari Haziri, duke i falënderuar për punën që janë duke e bërë në këtë drejtim grupi punues.

Ndërsa nga ana e saj Michel Bergoli, menaxhere e projektit për përkrahje dhe diversitet kulturor, ka thënë se trashëgimia kulturore në këtë regjion është e një rëndësie të veçantë për kah hapësira dhe specifikat që ka.

Ajo më tej ka thënë se duhet një përfshirje e gjerë, një angazhim i përbashkët në krijimin e kushteve dhe mundësive që thesarin e trashëgimisë kulturore dhe historike të shohin gjithë qytetarët e këtij regjioni dhe turistët e ndryshëm që mund ta vizitojnë këtë pjesë.