.
×

Haziri: Në parim, koalicioni me VV-në ka ndodhur – po diskutohen detajet e marrëveshjes



Botapress, 26 Janar – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se në parim, koalicioni me Vetëvendosjen ka ndodhur, por po diskutohen vetëm detajet e marrëveshjes.
Ai e ka konfirmuar takimin e së premtes mbrëma ndërmjet ekipeve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, por s’e ka treguar vendin ku i shtrënguan duart Isa Mustafa e Albin Kurti. “Nuk mund të flas për vendin dhe mënyrën se si liderët komunikojnë. Por, takimi i fundit ka qenë i formatit ekipor”, ka thënë Haziri.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se dy partitë tash kanë mbetur t’i zhvillojnë konsultimet për t’u ulur në një takim të ri dhe për ta nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Qeverisë së re.
“LDK s’e ka diskutuar asnjëherë dhe ka ndërtuar standardin se fituesi e merr Kryeministrin, ndërsa ne si parti e dytë, në këtë rrafsh, do të duhej të na takonte pozita e Kryeparlamentarit”, ka thënë ndër tjerash Haziri.
Lutfi Haziri ka folur edhe për fushatën që dikur Vetëvendosja ia bënte atij dhe tash Agim Veliut. Ai ka thënë se partia e themeluar nga Ibrahim Rugova asnjëherë s’do të shndërrohet në plastelinë e as trampolinë për dëshira të asnjë partie e individi.
“Por nuk do të lejojmë që LDK-në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK-ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët“, ka shtuar Haziri.