.
×

Haziri: Agim Rashiti me gjakun e tij ka njomur kërkesën politike për liri dhe pavarësi



Gjilan, 28 mars 2015 – Në 26 vjetorin e rënies në demonstratat e vitit 1989 në Gjilan, është përkujtuar sot dëshmori i kombit, Agim Rashiti.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë ka vënë sot kurora lulesh para bustit të dëshmorit të kombit, në vendin e rënies.

Kryetari Haziri ka thënë Agim Rashiti ra dëshmorë në kohën e lëvizjeve të mëdha politike për të drejta politike nacionale në vitet 89-90.

“Agim Rashiti në moshën e vet të rinisë u bë hero në kohën e lëvizjeve të mëdha politike për të drejta politike nacionale në vitet 89-90 dhe me gjakun e tij ka njomur kërkesën politike për liri dhe për pavarësi. 26 vjet më herë nuk ka mundur të jetë ndryshe pos ecja e njëjtë në thirrjen e baballarëve tanë dhe kryengritësve tanë, të cilët kanë qenë krenaria jonë. Derdhja e gjakut të Agimit me shokë ka qenë sakrificë e njëjtë në rrugën që e kemi nisur dhe rrugën që duhet të vazhdojmë bashkërisht. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij”, tha kryetari Haziri.

Në emër të familjes ka folur asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Nevzad Rushiti, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri, bashkëpunëtorët dhe të gjithë të pranishmit për respektin e treguar.