[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Haxhiu këtë javë synon ta kthejë procesin e emërimit të noterëve në pikë zero



Ministria e Drejtësisë pritet që gjatë kësaj jave të vendosë se si do të veprojë me procesin e emërimit të noterëve. Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ka në plan që ta kthejë në pikën zero.Haxhiu, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se fillimisht do të shqyrtojë bazën ligjore pasi që nuk dëshiron që menjëherë të veprojë me arbitraritet.“Unë kam në plan që procesi i noterisë të anulohet dhe të kthehet në pikën zero.

Këtu janë dy shqetësime: e para, fitimi i të drejtës individuale, ata të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë do të mund që të ankoheshin në gjykatë tek departamenti administrativ… (Brenda asaj liste) ka edhe të tillë që e kanë kaluar provimin me meritokraci, nuk po them se e gjithë lista prej atyre personave e kanë kaluar provimin me baza nepotiste familjare, partiake, por po them se as atyre të mirëve brenda asaj liste nuk u intereson që të dalin nga një proces i komprometuar i noterisë. Ne jemi duke parë vetëm bazën ligjore në mënyrë që mos të bëjmë ndonjë shkelje eventuale”, thotë Haxhiu.

Por, sipas njohësve të sistemit të drejtësisë, në këtë fazë është herët të vlerësohet se a duhet i gjithë procesi të kthehet në pikën zero apo jo.Betim Musliu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në procesin e zgjedhjes së noterëve ka pasur veprime që e kanë cenuar integritetin e këtij procesi, prandaj, sipas tij, zgjidhja më e mirë do ishte që fillimisht të shikohet në tërësi ligjshmëria e këtij procesi.Ai thekson se pa u bërë vlerësimet e nevojshme ende është herët të parashikohet se a duhet të kthehet në pikën zero apo jo.

Gjatë javës së kaluar kanë qarkulluar informacione që për procesin e zgjedhjes së noterëve, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet fillestare.Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Luftiu, nuk e mohoi por as e pohoi se Prokuroria ka në duar një çështje të tillë.

“Prokuroria nuk i mohon e as pohon rastet e tilla”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KosovaPress.Ksp ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, por që nuk ka pranuar të flasë.Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Abelard Tahiri, më 23 korrik të vitit të kaluar kishte hapur konkurs për 79 pozita të lira për noterë në 35 komuna të Kosovës.Mirëpo që nga shpallja e konkursit e deri te emërimi i noterëve, ky proces është përballur me kritika të shumta nga shoqëria civile edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë vërejtje për kriteret jo të drejta të vëna nga Ministria e Drejtësisë.Shoqëria civile madje ka vlerësuar se pas dhënies së dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga ky post në korrik të vitit të kaluar, ministri i Drejtësisë në largim, Abelard Tahiri nuk kishte më legjitimitet për ta proceduar tutje emërimin e noterëve të rinj. Ndër të tjera, ata kanë theksuar se emërimi i noterëve është duke u bërë mbi baza partiake e familjare.

Menu Title