.
×

Hashim Thaçi e Blerim Shala po dizajnojnë Qeverinë e ardhshme, PDK-AAK-Nisma



Ndërkohë që Isa Mustafa po bën përpjekjet e fundit për t’ia dhënë goditjen vdekjeprurëse Bllokut Opozitar përmes disa lojërave të vogla në Këshillin Drejtues të LDK’së, ish-partnerët e tij kanë marrë masa konkrete për ta shtyrë atë drejt opozitës.

Kreu i LDK’së tentoi këto ditë t’i nxjerrë në Opozitë AAK’në, Vetëvendosjen dhe Nismën, duke bërë një marrëveshje me PDK’në. Për ta arritur këtë, ai sot planifikon “ta marrë përkrahen” e Këshillit Drejtues të partisë së tij.

Por kjo lojë është deshifruar nga partnerët e tij.

Burime të Gazetës Express thonë se tashmë kanë filluar negociatat për dizajnimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës mes PDK’së, AAK’së dhe Nismës.

“Blerim Shala, në emër të AAK’së dhe Nismës, tashmë është duke biseduar me z. Thaçi për dizajnimin e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë një zyrtar i AAK’së në kushte anonimiteti për Gazetën Express.

Ai ka rikonfirmuar qëndrimin e kësaj partie që Ramush Haradinaj të jetë Kryeministër i Qeverisë PDK-AAK-Nisma dhe Minoritetet.

Në anën tjetër, ky lajm është konfirmuar edhe nga zyrtarët e Nismës për Kosovën.

Blerim Shala, Nënkryetar i Parë i AAK’së, është njëherësh pjesë e negociatave të Qeverisë së Kosovës me Serbinë që po zhvillohen në Bruksel. Gjatë këtyre viteve, duket se ai ka ndërtuar raporte mjaftë të mira me Liderin e PDK’së, Hashim Thaçin.

Zyrtari i AAK’së që foli në kushte anonimiteti për Gazetën Express, tha se gjatë ditës do të definohen shumë çështje me PDK’në. Njëherësh, ai ka hedhur poshtë çdo mundësi për kthim prapa.

“Jo, jo… Me LDK’na ka marrë fund gjithçka”, ka thënë ai.