.
×

Hasan Shala nuk është më kryetar i Gjykatës së Apelit



 

Pak minuta pasi ka marrë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kreu i Apelit ka liruar karrigen e tij për t’i hapur rrugë zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses. Në mëngjes Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin me të cilin e kthente në zero procesin e përzgjedhjes së kryetari të Gjykatës së Apelit.

“Unë falënderoj gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, stafin administrativ, institucionet kushtetuese më te cilat kemi pasur bashkëpunim, donatorët, organizatat joqeveritare dhe mediat për bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë këtyre 6 muajve”, ka thënë Shala në një komunikatë për media.

I njëjti ka kërkuar nga KGjK-ja që t’i përmbushë obligimet e saj.

 

“Pres që KGJK-ja, shumë shpejt t’i kryejë obligimet e veta në raport me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ne të vazhdojmë me synimet tona të përbashkëta, për një gjyqësor, të pavarur dhe të paanshëm, efikas, transparent, të besueshëm dhe llogaridhënës”, ka thënë Shala.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për zgjedhjen e Hasan Shalës në krye të Gjykatës së Apelit.

Kushtetuesja ka gjetur se Këshilli Gjyqësor ka shkelur disa nene të Kushtetutës së Kosovës kur ka vendosur që për kryetar të Apelit të votojë Hasan Shalën. Është shkelur neni 24 për barazi para ligjit, neni 31 i cili përcakton të drejtat për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe neni 108 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses është bërë bazuar në kërkesën e gjyqtares Tonka Berisha si njëra nga kandidatet për të udhëhequr me Gjykatën e Apelit.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka anuluar vendimin e KGjK-së dhe njëkohësisht e ka obliguar që të mbajë proces të ri të votimit për përzgjedhje të kandidatit për pozitën e kryetarit të Apelit.

Më 28 tetor 2016 KGjK-ja kishte nxjerrë vendim për shpalljen e pozitës së lirë për kryetar të Apelit.

Lidhur me këtë pozitë më 19 dhjetor 2016 Komisioni i KGjK-së intervistoi kandidatët duke e renditur Tonka Berisha në pozitën e parë me 100 pikë. Pas saj ishte renditur Hasan Shala me 84 pikë dhe Xhevdet Abazi me 77 pikë.

Përkundër që ishte poentuar më së shumti, Berisha nuk i kishte marrë votat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për t’u zgjedhur në krye të Apelit. Në procesin e votimit të mbajtur në KGjK, Berisha mori 2 vota për, 1 kundër dhe 6 abstenime.

 

Në votim hyri kandidati i dytë Hasan Shala i cili morri 7 vota për, 1 kundër dhe  1 abstenim duke u zgjedhur si kryetar i Gjykatës së Apelit.

 

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Apelit, por edhe të gjykatave të tjera.

 

Gjykata Kushtetuese vendim të ngjashëm mori edhe lidhur me pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ku riktheu në fillim procedurës pas ankesës së gjyqtares Valdete Daka.

 

Me një deklaratë për medie, Hasan Shala, kryetar i deritashëm i Gjykatës së Apelit, ka njoftuar opinioni se që nga sot nuk është më kryetar i kësaj Gjykate, transmeton Koha.net.

Ky është teksti i i deklaratës së Shalës:

“Njoftoj se në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KI-55/2017, nga sot, me 17.07.2017, nuk jam kryetar i Gjykatës së Apelit.

Falënderoj gjyqtarët e Gjykatës se Apelit, stafin administrativ, institucionet kushtetuese më te cilat kemi pasur bashkëpunim, donatorët, organizatat jo qeveritare dhe mediat për bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë këtyre 6 muajve.

 

Pres që KGJK-ja, shumë shpejtë t’i kryej obligimet e veta në raport me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ne të vazhdojmë me synimet tona të përbashkëta, për një gjyqësor, të pavarur dhe të paanshëm, efikas, transparent, të besueshëm dhe llogaridhënës”.