.
×

Haraqija, është zmbrapsur nga ultimatumi i dhënë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa



Zmbrapset Haraqija

 

Njëri nga themeluesit e Listës ‘LDK-Ibrahim Rugova’, Astrit Haraqija, është zmbrapsur nga ultimatumi i dhënë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Ditë me parë Haraqija pati kërcënuar Mustafën, se ka afat deri të martën për të hequr dorë nga bllokimi i krijimit të institucioneve të reja, në të kundërtën, ka paralajmëruar se një grup i deputetëve brenda LDK-së të përkrahur nga ai, do të ndërmarrë hapa për krijimin e institucioneve duke aluduar në dhënien e votës së tyre për kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit.

Por, tri ditë me vonë, Haraqija i ka ndryshuar fjalët. Tani ai po e mohon t’i ketë dhënë ndonjë ultimatum Mustafës, megjithëse thotë se brenda LDK-së ka njerëz që mendojnë ndryshe nga Isa Mustafa.

“Unë ultimatum nuk i kam dhënë shokut Isë. Por ka njerëz brenda LDK-së, që mendojnë ndryshe”, ka thënë Haraqija, duke shtuar se ende ka kohë për ta zbatuar në praktikë qëndrimin e tij dhënë ditë me parë.

Sipas tij, drejtuesit e LDK-së, janë në panik dhe se po frikësohen se nuk i kanë nën menaxhim deputetët e tyre.

“Ata janë në panik, e jo unë. A po e sheh qysh po prononcohen si në kohen e xhaxhit Enver”, është shprehur Haraqija për gazetën Tribuna. /Tribuna/