[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Haradinaj: Sot u larguan nga parku Inovativ në Prizren edhe personat e fundit nga Shqipëria



Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se sot nga Parku Inovativ në Prizren janë larguar edhe personat e fundit nga Shqipëria, që ishin strehuar aty pas tërmetit.

Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook ka falënderuar qytetarët për kontributin për t’i ndihmuar të ardhurit nga Shqipëria.

“Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren. Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike. Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka thënë se çdo ditë ka raporte nga institucionet në vend për rikthim të personave që po qëndronin nëpër shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend.

“Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend. Edhe njëherë falënderoj Institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pandalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falënderoj, Institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet Komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision. Ne do vazhdojmë të jemi të gatshëm, për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm, që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë”, ka thënë Haradinaj.

Menu Title