.
×

Haradinaj reagon ndaj deklaratave të Gazmend Muhaxherit



Lidhur me deklaratat e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar, i apostrofuari, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 Haradinaj thotë se Muhaxheri ka filluar “luftë të pistë” kundrejt tij, për të mbuluar, siç thotë ai “dështimet e njëpasnjëshme” në qytetin e Pejës.

“Gazmend Muhaxheri, është i fundit nga të Komitetit të Isa Mustafës që kanë filluar një luftë të pistë kundër meje dhe AAK-së.I gjendur përballë dështimeve të njëpasnjëshme në qytetin e Pejës, i tmerruar nga humbja e mbështetjes qytetare në nivel lokal e qendror dhe në përpjekje për të kamufluar këto dështime,  ai është shndërruar në një shpifarak paranojak”, thotë Haradinaj në një deklaratë për media.

Haradinaj thotë se pas “shpifjes së Radoniqit”, tash po del Muhaxhiri që po e lidh emrin e tij me “vrasje, bixhoz e kontrabandë”. Sipas kreut të AAK-së, këto janë shenja hakmarrje.

“Pas shpifjes për Radoniqin që Isa Mustafës, pashpjegueshëm, i kishte dalë prej kontrollit,  tash ky farë Muahaxheri del me një tjetër margaritar të skuadrave vrasëse ne Dukagjin dhe gënjen përtej mendjes së prishtë që e ka, duke bërë përpjekje që emrin tim dhe të njerëzve të ndershëm të UÇK-së, ta lidhë me vrasjet, me bixhozin dhe kontrabandën e naftës!”

“E gjithë kjo në shenjë hakmarrjeje pse u kam dalë në pritë që të mos e kthejnë Serbinë në Kosovë dhe të mos e zbresin Malin e zi në Rugovë”, thuhet tutje në reagimin e Ramush Haradinajt.

Ramush Haradinaj, në fund të reagimit të tij, jep një mesazh për Gazmend Muhaxhirin.

“Mesazhi im publik për Muhaxherin në Pejë e muhaxherët tjerë kudo ku janë dhe për shefat e tyre në Prishtinë është se Komunizmi në Pejë e në Prishtinë nuk kthehet, as sot as pas 20 vjetësh, as kurrë! As Serbia s’ka më punë në Kosovë”.

“Meqenëse nuk është hera e parë që Gazmend Muhaxheri sajon shpifje të rrezikshme kundër meje dhe dinjitetit tim përsonal e familjarë, unë do të ngre padi kundër tij. Ai duhet t’i gjejë kush janë skuadrat vrasëse dhe t’i argumentojë një për një shpifjet e tij”, thotë Haradinaj.