.
×

Haradinaj: Racionale do të ishte rifillimi i mësimit nesër



Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar grevën e mësimdhënësve që po vashdon për të tetën ditë. Ai ka komentuar refuzimin që Sindikata e Arsimit i bëri ofertës së tij për rritje pagash dhe bëri thirrje që greva të ndërpritet.

“Greva është e drejtë e të gjithve në bazë të ligjit, oferta nuk është e imja, është e Kosovës është një rritje substanciale dhe e rrespektueshme kërkesa ime është të rikthehet procesi mësimor që të mos i humbim kohë fëmijëve, do të ishte racionale kthimi në mësim që nesër”, tha Haradinaj.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë ka vendosur të vazhdojë grevën edhe  pasi kryeministri u premtoi ngritje pagash mësimdhënësve.

Siapas kryeministrit, rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme do të jetë 74 euro nga paga aktuale. Për arsimin fillor nga 479 euro sa është aktualisht –  në 525.8, pra rritja është 46 euro. Për mësimdhënësit e sistemit parashkollor nga 447.9 sa është tani rritja është në 501 euro. Kurse për kategorinë e mësimdhënësve të shkollave speciale, rritja do të jetë për 49.8 euro.