.
×

Haradinaj përdor standarde të dyfishta, shkarkoi zëvendësministrin, ndërkaq mban 5 ministra me aktakuza



Kryeministri Ramush Haradinaj ka përdorur standarde të dyfishta sa i përket trajtimit të personave të lartë publik që kanë problem me drejtësi.

Ai ka liruar nga puna zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena i cili dyshohet për ryshfet, përderisa nuk ka liruar nga puna 5 ministra që mbajnë këto pozita me aktakuza. Nga 22 ministri që ka Qeveria Haradinaj, 5 prej tyre janë me aktakuzë, përfshirë vepra penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ai i FSK-së, Rrustem Berisha, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV. Zv.kryemninistri, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësish, Besim Beqaj, akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës Kosovës.

Të gjithë këta 5 ministra vazhdojnë punën në Qeverinë e Kosovës, derisa kryeministri, Ramush Haradinaj, ka vendosur të shkarkojë zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena. Ky është ende i dyshuar dhe s’ka të ngritur aktakuzë e të dielën Gjykata i ka caktuar 1 muaj paraburgim. Haradinaj ka thënë se lirimin e tij nga kjo pozitë po e bën për t’u dhënë hapësirë organeve të rendit e të ligjit që të ndjekin dhe gjykojnë paanshmërish rastin.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena. Vendimi është marrë mbi bazën e dyshimit se vepra është kryer gjatë mandatit aktiv të tij. Ftoj organet e rendit dhe të drejtësisë që ta kryejnë punën me përgjegjësi, në çdo situatë”, ka thënë Haradinaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, i cili ka thënë se rasti nuk ka të bëjë me aktivitetet e zv/ministrit Cena në Ministri.

“Marrë parasysh raportimet e mediave, prononcimet e organeve të drejtësisë lidhur me rastin në fjalë, aktivitetet zyrtare të punonjësve të MZHR-së, si dhe pa dashur të ndërhyjë në punën e organeve të drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal deklaron se ky rast nuk ka të bëjë me aktivitetet e Zëvendësministrit Cena të realizuara në Ministri”, ka thënë Demiri.