.
×

Haradinaj niset për ShBA



Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është nisur sot për në ShBA, për një vizitë zyrtare në New York dhe Washington, ku pritet të zhvillojë kontakte me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Siç njofton Qeveria e Kosovës, në kuadër të vizitës në Nju York, Haradinaj do të zhvillojë takime me liderë dhe përfaqësues të ndryshëm të shteteve, që do të jenë pjesëmarrës në zhvillimin punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të kërkojë mbështetjen e të gjithëve që Kosova të jetë pjesë e barabartë e komunitetit ndërkombëtar.

Prezantimi i të arriturave të vendit, tërheqja e investimeve të huaja direkte, fuqizimi i marrëdhënieve bilatarale me shtetet pjesëmarrëse, takime me homologë nga shtetet europiane, do të jenë pjesë e agjendës së Kryeministrit, thuhet në njoftim.

Haradinaj pritet të ketë takime me senatorë e kongresistë dhe personalitete të tjera me influencë në ShBA, me të cilët do të diskutojë për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit të shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka pararaparër të zhvillojë aktivitete edhe me komunitetin shqiptar të Amerikës.

Në ShBA do të jenë edhe presidenti Hashim Thaçi si dhe ministri Behgjet Pacolli./Bp/