.
×

Haradinaj në Ferizaj premton zgjidhjen e problemit të Fabrikës së Gypave



Kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka gëzuar sot ferizajasit, që kishin ardhur në tubimin e AAK-së për prezantimin e programit të kandidatit për kryetar të Komunës, Xhavit Zariqi.

 

 

 

Kreu i Qeverisë ka premtuar se çështja e kompensimit të punëtorëve të Fabrikës së Gypave do të zgjidhet. Ish-punëtorët nuk i kanë marrë rreth 26 milionë euro kompensim, tash sa vjet, megjithëse në favor të tyre ka vendosur edhe Gjykata Kushtetuese.

 

“Një temë që më ka ardhë në tavolinë është problemi i Fabrikës së Gypave. Besoj është e rëndë kjo temë, por kemi me e zgjidhë”, pohoi Haradinaj.

 

Në vazhdim, Haradinaj ka lavdëruar ferizajasit si njerëz punëtorë e të shkathët për biznes.

 

“Iu kam thanë të gjithëve: shkoni në Ferizaj e shikoni qysh bahet biznesi… Duhet me i thanë secilit qytetar je i zoti i shpisë në vendin tënd. Do ta kthejmë këtë vend si vend të të gjithëve përmes punës”.

 

Haradinaj premtoi rritje të buxhetit për bujqësi.

 

“Ky buxhet do të rritet vit pas viti. Nuk ka gjë më të mirë se me e çel një vend të punës, me ia mundësu atij që ka një copë tokë me u zhvillu”, u shpreh Haradinaj.

 

Në ndërkohë Xhavit Zariqi i AAK-së tha se do të ndërtojë Spitalin Rajonal, gjë të cilën e premtojnë qe shumë vjet partitë në pushtet.

 

“Shumë qeveri e kanë premtuar dhe kurrë nuk u realizua. Por, po shihet që ndryshimi tanimë ka filluar. Ky ndryshim do të zhvillohet në të gjitha komunat e Kosovës, sikurse dhe në Ferizaj. Puna që ka bërë kjo qeveri nuk mund të krahasohet me atë që kanë bërë qeveritë e kaluara”, tha Zariqi.

 

Krahas zhvillimit ekonomik, ngritjes së cilësisë në arsim e shëndetësi, Zariqi në programin e tij qeverisës ka paraparë dhe përkrahje më të madhe për bizneset e këtushme.

 

“Programi jonë mbështetet në shumë fusha, por prioritet e kemi zhvillimin ekonomik, që sjell hapjen e vendeve të punës… Do të përkrahim bizneset dhe të krijojmë klimë të përshtatshme për biznes dhe përmes zyrës që do të krijojmë për investime të huaja”, theksoi ai.

 

Zariqi u zotua se do të qeverisë me transparencë dhe në mënyrë demokratike.