.
×

Haradinaj flet rreth shkarkimit të zëvendësministres serbe



Botapress, 26 Mars-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur sot rreth shkarkimit të zëvendësministres serbe të Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të deklarimeve se bombardimet e NATO-s ndaj forcave gjakatare serbe ishin “gjenocid”.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kreu i Ekzekutivit i quajti të papranueshme deklaratat e Mikiq, sa i përket intervenimit të NATO-s mbi Serbinë për shkak të gjenocidit që kjo e fundit kreu kundër popullsisë së pafajshme shqiptare.

“Në përgjithësi jemi në dijeni që ka pikëpamje të ndryshme, por ato identifikuese që kanë qenë nga zëvendësministrja kanë qenë të papranueshme”, ka porositur Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe rreth vendimit për mbylljen e lojërave të fatit, pas dy rasteve me epilog tragjik.“Lotaria e Kosovës mbetet pasi ajo është ndryshe. Të gjitha lojërat tjera të fatit mbyllen. Kur kam thënë që po vij në qeveri për t’i kryer disa punë, ne këtë edhe po bëjmë.

Çdo ligj e ka koston e vet. Edhe ky ligj e ka koston e vet. Sa i përket vendeve të punës, jemi të gatshëm të shohim se çfarë do të ndodhë me ata vajza e djem të reja që kanë punuar aty. Tash e ka parlamenti pjesën e vet”, ka thënë ai.