.
×

Haradinaj: Bashkëqeverisja e AAK-së me PDK-në e lodhtë dhe e zorit



Dega e AAK-së në Klinë e ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme në degë me ndërrimin e kryetarit.

Me automatizëm, kryetar i degës është votuar Zenun Elezi në vend të kryetarit të deritashëm të kësaj dege Bedri Gashi, raporton korrespodenti i Kohës Ditore atje. Në ketë zgjedhje, të shtunën në takimin e strukturave të AAK-së, ka marrë pjesë edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj i shoqëruar nga Ali Berisha ish kryetar i Komunës së Pejës.

Në takim nuk ka marrë pjese kryetari i deritashëm i kësaj dege Bedri Gashi që është drejtor i Shëndetësisë në Klinë.

Brenda dy vitesh, kjo dege po i ndërron kryetarët.

Enver Berisha në të njëjtën mënyrë ishte shkarkuar, dy vite me parë e në vend të tij ishte zgjedhur Bedri Gashi e se fundi Zenun Elezi zgjidhet në krye të degës në vend të Bedri Gashit.

As Enver Berisha nuk ka qenë në takim pasi qe kohë me parë AAK-ja e ka pezulluar nga aktiviteti në parti pasi qe është në hetime nga prokuroria e Kosovës për banesën pronë komunale që ka marrë në vitin 2009.

AAK-ja në Klinë bashkëqeverisë me PDK-në në pushtetin lokal dhe Bedri Gashi është drejtor e Enver Berisha nënkryetar i Komunës së Klinës ani pse është përjashtuar nga partia.

Në takimin e strukturave të degës së AAK-së u njoftua se Bedri Gashi, kryetar i deritashëm i degës vullnetarisht është tërhequr nga kandidimi për të udhëhequr degën në ketë proces të zgjedhjeve të brendshme.

Për Ramush Haradinajn, procesi i brendshëm është ballafaqim me vetveten. Sipas tij, aty ku nuk ka punë dhe angazhim të duhur për marrjen e pushtetit do të ketë ndërrime.

“E kemi mirëpritur mos kandidimin e Bedriut dhe të gjithë jemi bashkuar rreth Zenun Elezit që ka gradë shkencore dhe i cili do të rrisë AAK-së”, ka thënë Haradinaj i cili bashkëqeverisjen e AAK-së me PDK-në e ka quajtur të lodhtë dhe të zorit.

Duke folur për rrjedhat në vend, Haradina, ka thënë se PDK-LDK nuk janë duke e qeverisur si duhet vendin dhe shumë lehtë mund të ndodh që të ketë zgjedhje ketë vit. Sipas tij janë degraduar shumë sektorë nga kjo keqqeverisje e cila herët apo vonë nuk do të mund të shkoj me tutje dhe vetvetiu do të ndahen.