.
×

Haradinaj: Amerika do të jetë me ne, e votuam ose jo demarkacionin



Botapress, 22 Gusht

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, sipas liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i qëndrojnë pranë Kosovës pavarësisht se a ratifikohet demarkacioni me 1 shtator apo jo.

Sipas Haradinajt, është koha që Kosova ta korrigjojë gabimin që ka bërë me demarkacionin dhe të mos përdoret dhunë në parlament, sepse kështu, po cenohet demokracia.

“Nëse ne e dhunojmë parlamentin më nuk ka demokraci ky vend. Gabimi buron te komisioni ynë shtetëror, i cili nuk e di se nga buron. Interesi i Kosovës nuk është ta korrigjojnë gabimin për demarkacionin. Nuk ka version tjetër, kufiri është në Çakorr. Kam besim që Mali i Zi e din si ka ndodhur gabimi. Kemi komunikim me secilin dhe ata nuk nxitohen. Dhe nëse parlamenti e rrëzon duhet të fillojnë procedurat për zgjidhjen e kësaj çështje. Biden tha se sido që të votoni, ne jemi me ju”, ka thënë Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin Zona B në Klan Kosova.

“Pa një gjë të tillë, s’mund të arrihet asgjë, edhe pse SHBA-të do të rrinë krah për krah me Kosovën”, kishte deklaruar Joe Biden, nënkryetari amerikan, gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, javën e kalaur.

Por, Haradinajn, nuk e kanë lëkundur aspak porositë e zëvendëspresidentit të SHBA-ve Joe Biden, që demarkacioni me Malin e Zi duhet votuar.

Stoik në qëndrimin e tij, Haradinaj e tha të jetë edhe më tutje, gjatë një interviste në emisionin Zona B në Klan Kosova.

LEXO:  Haradinaj i palëkundur: Demarkacioni është gabim, ua kemi bërë me dije edhe miqve ndërkombëtarë

“Qëndrimi im, i AAK-së dhe i partive opozitare, është se ky demarkacion është gabim, nga dy akset rrugore, nga Plava e në Pejë dhe drejtimi nga Rozhaja në Pejë. Kemi punuar intenzivisht për t’iu shpjeguar të gjithëve se ky version është gabim dhe duhet të korrigjohet. U kemi bërë me dije edhe miqve ndërkombëtarë dhe jo vetëm atyre vendorë”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se edhe debati shkencor i mbajtur në fillim të muajit gusht, e ka dëshmuar pasaktësinë e përcaktimit të këtij demarkacioni.

“Edhe tryeza e 3 gushtit e shpjegoi që ky version”, ka deklaruar Haradinaj.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se demaskimi i kufirit me Malin e Zi i bërë nga Komisioni Qeveritar, ka ende hapësirë për korrigjime.

Haradinaj ka thënë se kryeministri dhe presidenti mund ta korrigjojnë sipas tij, gabimin që është bërë në këtë marrëveshje.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës, deputetët me votat e tyre, duhet të mos e ratifikojnë këtë marrëveshje.

“Nëse komisioni ka dhënë një version të caktuar atëherë Thaçi ose Mustafa e kanë mundësinë me e korrigjua këtë gabim. Gabimin e parë e ka bërë ai që e ka servuar këtë version të demarkacionit. Nëse parlamenti e rrëzon këtë gabim atëherë është në rregull”, është shprehur Haradinaj.