.
×

Hapet një pikë përpunuese e pemëve dhe perimeve në Malishevë



 

 

Sot në fshatin Banjë, është hapur një pikë grumbulluese dhe përpunuese e pemëve dhe perimeve, me pronare Fatime Limajn, një grua e cila edhe më parë është marrë me këtë veprimtari. Në ceremoninë e hapjes së kësaj pike, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i bujqësisë, Murat Hoxha, drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi dhe përfaqësues nga UNDP dhe IADK.

 

Pasi e ka përgëzuar fermeren Limaj, për punën e bërë, kryetari Begaj, tha se “ky është një shembull i mirë, kur njeriu me hap të vogël, me përkushtim dhe entuziazëm, arrin të bëj vepra të mëdha, në këtë rast është shembull i mirë i punës në bujqësi, madje nga një femër”. “Ne si komunë, e vlerësojmë shumë këtë veprimtari dhe garantoj se do të vazhdojmë ti përkrahim bujqit e komunës sonë, e në veçanti veprimtaritë prodhuese dhe ato që krijojnë vende pune”, tha Begaj.

Ndërsa përgjegjësi i IADK, implementues të projektit të UNDP, në këtë fushë, Zenel Bunjaku, tha se i kanë përkrahur gratë, të cilat kanë shprehur gatishmërinë të punojnë me pemë dhe perime si dhe i kanë trajnuar në fushën e përpunimit dhe konservimit të pemëve dhe perimeve. Për këtë edhe i kanë certifikuar 16 femra, te cilat i kanë kryer trajnimet në këtë fushë.

 

Pika grumbulluese dhe përpunuese për pemë dhe perime, është hapur në fshatin Banjë, me pronare Fatime Limaj, ndërsa kjo pikë përveç përpunimit dhe konservimit, e ka të siguruar edhe tregun, përkatësisht shitjen, kurse në këtë janë të inkuadruar një grup i konsiderueshëm i femrave fermere, që merren me përpunimin e pemëve dhe perimeve.

Hapja e kësaj pike, është mundësuar nga UNDP dhe Komuna e Malishevës.