.
×

Hajnia e plaçka, dukuri shumë të përhapura në Kosovë



Dukuria e vjedhjeve çdo ditë e më shumë po merr përmasa shqetësuese për qytetarët e vendit tonë. Në dyqane, shtëpi dhe banesa private, apo edhe në rrugë, kudo janë premisat që të jesh një viktimë e vjedhësve.

Beqir Shala, banor në rrugën ‘Rexhep Luci’ të kryeqytetit, ka treguar për KosovaPress se në lagjen ku jeton është mjaft e përhapur hajnia dhe plaçka, madje siç shprehet ai, kjo është bërë thuajse përditshmëri dhe shqetësim i madh për ta.

“Çdo natë ka që i thyejnë veturat në këtë lagje, siguria nuk është aspak as për qytetarë, as për makinat as për asgjë hiq. Me qenë në shtëpi jemi të sigurt si të dalim jashtë shtëpisë nuk jemi të sigurt aspak”, thotë ai.

Shala nuk është i kënaqur as me organet e rendit, pasi sipas tij ato nuk po angazhohen sa duhet në këtë drejtim. Në të kundërtën, nëse organet kanë vullnet më të madh, atëherë mund të bëjnë më tepër në parandalimin dhe kapjen e kryesve të kësaj vepre penale, thotë ai.

Ndërsa, qytetarja tjetër Mirlinda Murseli, banore e lagjes ‘Fehmi Agani’ të kryeqytetit, thotë se edhe në këtë lagje vjedhja është shumë e përhapur si dukuri. Ajo vetë ka dëgjuar për raste të ndryshme ku banorët kanë qenë cak i vjedhjeve, dhe për këtë ajo kërkon që organet e rendit të jenë më efikase në misionin që kanë.

“Ndoshta jo edhe aq sa duhet pasi ndodhin bajagi shumë dhe nuk e dijë sa prej tyre kapen ose zgjidhen si raste. Unë deri tash, ndoshta që nuk më ka ndodh asnjëherë, e ndijë vetën të sigurt, tash nuk e di ndoshta me siguri nëse të ndodh njëherë mandej e humb paksa atë besimin, por mua personalisht nuk më ka ndodh kështu që pakëz më OK jam”, tha ajo.

Shaban Rama, banor i lagjes ‘Tophane’, ka thënë për KosovaPress, se në përgjithësi ka dëgjuar për rastet e shpeshta të vjedhjeve që ndodhin gjithandej në kryeqytet dhe mbarë vendin. Ai shprehet me indinjatë dhe mllef kur thotë se ‘tani në këtë kohë të gjithë në njëfarë mënyre janë bërë hajna’. Më e keqja, sipas tij, është ajo se institucionet nuk po ndërmarrin e as nuk po bëjnë asgjë në këtë aspekt.

“Në përgjithësi prej të parit në të fundit janë hajna, prej A-së në Zh hajna krejt… Nga hajnat veç nëse mund të ruhesh vet, pasi kurrfarë sigurie nuk ka këtu. E zanë njëherë, e mandej menjëherë pas dy apo tri ditësh e lëshojnë. Ma shumë e marrin në pyetje atë që është i vjedhur se sa ai që e ka vjedhur, qysh e tek”, tha ai.

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës (PK), Daut Hoxha, tha për KosovaPress se PK bazuar në kompetencat ligjore, vazhdimisht realizon detyrat dhe përgjegjësitë e saj në funksion të krijimi të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.

Më tej, Hoxha ka nënvizuar se PK-ja ka në dispozicion 24 orësh njësitë patrulluese policore duke përfshirë edhe njësitet në rroba civile, të cilat sipas nevojave apo kërkesave që paraqiten nga qytetarët, reagojnë në tërë vendin.

“Çdo rast që raportohet duke përfshirë këtu edhe rastet e vjedhjeve që ju i keni potencuar Policia i trajton ato në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore siç janë të paraparë me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës. Përveç rasteve të raportuara Policia ka arritur që një numër të kryesve ti kap edhe në flagrancë dhe ne kemi vepruar komfor ligjeve në fuqi dhe i kemi sjell ata para organeve të drejtësisë”, ka potencuar ai.

Hoxha ka bërë me dije se nëse krahasohet tre mujori i parë i vitit të kaluar me tre mujorin e këtij viti, rezulton se ka një rënie të theksuar të rasteve të vjedhjeve.

“Pra vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2014 kemi 2,133 raste të vjedhjeve, prej tyre 193 janë tentim vjedhje, ndërsa vjedhje të kryera janë 1,940. Ndërsa në tre mujorin e këtij viti, kemi në total 1,510 raste të vjedhjeve, prej tyre 146 janë tentim vjedhje ndërsa vjedhje të kryera janë 1,364. Pra sipas këtyre statistikave që ne i posedojmë kemi një rënie të theksuar, minus 623 raste të vjedhjeve në total”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë përmes telefonit për KosovaPress, se janë bërë shumë shqetësuese rastet e shpeshtuara të vjedhjeve çoftë nëpër banesa dhe shtëpi private, por edhe në biznese, etj.

Ai mendon se këtu policia po e kryen sado kudo detyrën e saj por janë organet e gjyqësisë ato që praktikisht nuk po i trajtojnë këto lëndë me seriozitetin e duhur dhe kryesit e këtyre veprave po i lëshojnë, duke ndikuar kësisoj që ata prapë të i përsërisin vjedhjet.

“Mendoj se këtu duhet të ndikohet me Gjyqësorin në Kosovë, i cili duhet të jetë më efikas në dënimin e këtyre rasteve, pasi parandalimi i një ngjarje bëhet me dënimin meritor, ku dënimi ose efikasiteti i gjyqësorit e parandalon dhe ndal këtë dukuri”, thotë ai.

Maloku nënvizon se me ardhjen e verës, praktikisht Kosova po hyn me këtë dukuri jashtëzakonisht shqetësuese që do të shkaktojë vetëm nervoz, brenga dhe shqetësim për qytetarët e vendit.