.
×

Hajdar Fejzullahu: Udhëheqësia e Kosovës me një mentalitet të viteve të 60-ta!



 

Në vitet e gjashtëdhjeta është e vërtetë se kishte banda të caktuara të cilat plaçkitnin qytetarë të pafajshëm dhe të pambrojtur. Këta plaçkitës mbase ishin të lidhurata me pushtetin e asaj kohe, serbo- jugosllav.

Sot ne e kemi fituar shtetin tonë me ndihmën e ndërkombëtarëve e që gjithsesi  falënderojmë përjetësisht me mirënjohjen më të lartë etike.

Dhe unë tani pyes veten: Çfarë po na ndodh kështu neve? Udhëheqësia jonë në asnjë mënyrë nuk e ka ndërmend të disiplinohet, të jetë e kujdesshme sepse janë në krye të shtetit, janë qeveritarë.

Mentaliteti i viteve të gjashtëdhjeta, nëpër dasma, këngëtarët e asaj kohe me çifteli e sharki, po edhe “patllaket” me vete! Nëpër ato ahengje me çaj të Indisë një kokërr sheqer “Krisja babë patllake TT” e që në atë kohë ishte më e mira. Zakonisht ato dasma bëheshin nëpër oda burrash në zë e trimat me grykëhollë, ia krisnin pa ndërpre, bile edhe tregonin se si filani kishte “patllaken” më të mirë. “A e patë se sa mirë kur shtiu, syri s’i lëvizte”!

Eh ato lavde pas atyre ahengjeve zgjatnin me muaj. Ishin kohëra të tilla.

Po tash o burra, si do t’i komentojmë këto ahengjet e sotme që vërtet është për  t’u trishtuar! Mjerim i thonë kësaj përndryshe! Kurrë në jetë nuk kisha menduar se do të  vijnë “gangsterë” të na e  udhëheqin shtetin me armë në shokë dhe akoma   me çaj të Indisë.

Ku dhe kah po shkon Kosova, do të jetë një pyetje enigmatike për një kohë të gjatë, por deri kur, nuk e di.Siç shihet, ne mandej ankohemi: “A vetëm ne  s’po na do Evropa dhe është gjithmonë e padrejtë ndaj nesh?” Jo or të uruar jo!  Evropa!-Po ne jemi Evropë, por me këtë lloj mentaliteti vërtet ka të drejtë Evropa që as kokën të mos e kthejë në drejtimin tonë. E po ja se nuk jemi mirënjohës dhe i marrim ato që i meritojmë pra!!!