.
×

Hajdar Fejzullahu: Një lutje zotit të gjithësisë!



 

 

Çdo ditë ndjej dhembje, çdo ditë më humb shpresa për të ardhmen tonë me perspektivë. Nuk gjej rehati dhe ndihmë nga askush, ndaj I drejtohem me lutjet e shpirtit Zotit të MADHËRISHËM:

O Zot i madh! Perëndia ynë që je në qiell dhe në tokë, te lutem ty o i Madhërishëm, shpëtoje Kosovën prej njerëzvetë cilët Ti vetë i rrite! O Zot le të këndellen e ta shohin Kosovën si tokën tonë e jo si pronë të tyre! Shpëtoje o Zot këtë tokë të përvuajtur e të stërrvuajtur prej njerëzve të saj!

O Zot, të lutem, nxirre Kosovën prej këtij ferri që jemi duke e përjetuar ne- populli i pafajshëm! O Zot, hiqe Kosovën prej duarve të njerëzve të krimit, prej njerëzve me duar e shpirt plot mëkate!

O Zot të lutem shumë se vetëm fuqia jote mund ta bëj këtë mrekulli.Shpëtoje këtë popull prej vetevetes, o Zot se duan të na e marrin edhe këtë copez shteti, ende të parealizuar dhe të paformuar  tërësisht!  Të lutem, shndërroje shqiparinë në lumturi, ashtu siç janë popujt rreth nesh! Bëji shqiptarët që ta kuptojnë se gjenden ne pjesën e Evropës dhe të ngriten shpirtërisht e të të njohin ty o Zot se populli është i thyer, i pashpresë. Te këndellen, ta respektojnë vendin, shtetin , kombin e tyre.

Ndali dogmat o Zot, bëje këtë popull ta ndjejë në shpirt dhe në damarë se janë shqiptarë të bëhen vetja e të mos manipulojnë përfituesit nga ky popull i mjerë!Të lutem Ty o Perëndi I Plotfuqishëm, na bëj të barabartë me fqinjët tanë e na i hiq të ligat tona që na e kanë zënë frymën e po na ngulfasin dita-ditës më shumë e më shumë! Na e hiq egon o Zot e mos të thirren në “Shpëtimtarë të kombit”… Dhe thonë..” Ne dhe vetëm ne”! O Zot, thuajse vërtet “ne”. Na mbush me dritën tënde të shenjtë, me frymën tënde, o Zot!