.
×

Greva e punëtorëve administrativ në gjykata, shtynë seancat gjyqësore



 

Adem Lushaj

Greva e punonjësve të administratave nëpër Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës, e filluar me 4 korrik, ka bërë që një numër i mirë i lëndëve gjyqësore të mos trajtohen. Sipas të dhënave të marra nga zyrtarët e Gjykatës në Pejë dhe Deçan, janë mbi 150 seanca të shtyra ngase nuk janë mbajtur si rrjedhojë e grevës së zyrtarëve administrativ. Siç bën të ditur zyrtarja e Gjykatës në Pejë, Selvane Bukleta, nuk janë mbajt 101 seanca të caktuara prej fillimit të grevës, që sipas saj, kanë përjashtim rastet urgjente, siç janë dhuna në familje apo raste të paraburgimeve. Edhe në Gjykatën e Deçanit, janë shtyrë 52 seanca të planifikuara, ku 40 janë veç për vepra penale. Nuk është efekti i vetëm negativ mos mbajtja e seancave, por hyrja në grevë e punëtorëve administrativ ka bërë që qytetarët mos të kenë mundësinë e marrjes së dokumenteve të duhura që shkojnë përmes institucionit gjyqësor. Përkundër kësaj, qytetarët janë treguar mirëkuptues ndaj punonjësve të gjykatës në Deçan, duke arsyetuar pakënaqësinë e tyre. Njëri nga qytetarët që kishte nevojë të nxjerrë dokumente, e nuk kishte mundur ta merr atë, është edhe Besim Halilaj nga Strellci, i cili thotë se mirëkupton zyrtarët e gjykatës që nuk punojnë, “se për qejf, as ata nuk bëjnë grevë”.