[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gjyqi i Nderit i OMK-së vërteton vendimin e Këshillit Etik në rastin e Sejdiut dhe Bekteshit



Gjyqi i Nderit i Odës së Mjekëve të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Këshillit Etik në rastin e drejtorit të SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu dhe drejtorit të Kardiokirurgjisë Dr. Tefik Bekteshi.

Këshilli Etik i Odës së Mjekëve të Kosovës më datën 3 mars të këtij viti nxjerri një vendim ku gjeti fajtor drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Dr. Basri Sejdiun dhe drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë Dr. Tefik Bekteshin, për mos përdorimin e faksimileve zyrtare të lëshuara nga OMK, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta ka mësuar nga burime të sigurta brenda OMK-së se këtë vendim të KE-së e ka vërtetuar edhe Gjyqi i Nderit, organ ky në të cilin ishin ankuar Sejdiu dhe Bekteshi. Gazeta ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga OMK për këtë çështje, ku zyrtarët kanë konfirmuar se është marr vendimi por nuk kanë treguar se për çfarë vendimi bëhet fjalë.

“Ju njoftojmë se Gjyqi i Nderit ka marrë vendim lidhur me çështjen e lartëshënuar, megjithatë ky organ është në fazën e përpilimit të Vendimit dhe pas përfundimit të tij dhe njoftimit zyrtar të palëve, do t’ju njoftojmë edhe juve”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.

Këshilli Etik ka konstatuar se Sejdiu është përgjegjës për arsye se më 12.11.2019 ka lëshuar dokumentacionin shëndetësor duke mos përdorur faksimilen e autorizuar nga organi kompetent i OMK-së në dosjet gjegjëse të pacientëve. Sipas këtij vendimi të cilin e posedon Gazeta, Sejdiu ka lëshuar dokumente me vulën e kardiologut e cila nuk përputhet me licencën e punës së internistit, në ordinancën “Diagnostika Invazive” me seli në Mitrovicë. Për këtë shkelje Sejdiu është gjobitur me 1 mijë euro.

Vendim i njëjtë ishte marr edhe për Bekteshin i cili poashtu kishte lëshuar dokumente mjekësore duke përdorur vulën e kardiologut, e cila nuk ishte në përputhje me licencën e punës, në ordinancën private “Ambulanca Specialistike Kardiologjike D&D” në Prishtinë.

Gazeta pati raportuar për këtë rast edhe kur ishte marr vendimi i Këshillit Etik. Sejdiu kishte deklaruar se mban licencën valide të kardiologut të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sejdiu dhe Bekteshi i përkasin grupit të mjekëve që kanë përfituar thirrjet subspecialistike me vendimin kontrovers të ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani për barasvlerësimin e përvojës së punës me tituj specialistik. Një nga këto vendime të Aganit e kishte hedhur poshtë Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2018.

Menu Title