.
×

Gjykata Themelore në Prishtinë vendos në kontestin mes Federatës së Taekwondo-së dhe MKRS



Federata e Taekwondo-së të Kosovës njofton opinion se Gjykata Themelore në Prishtina ka aprovuar Padinë e kësaj federatë kundër Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

FTK kishte kërkuar nga Gjykata që të obligojë MKRS-në nxjerrjen e aktvendimit për licencim dhe dorëzim të licencës për këtë federatë, pasi ishin përmbushur kriteret e parapara me Ligjin për Sport dhe Udhëzimin Administrativ për themelimin dhe licencimin e federatave dhe shoqërive të sportit. Departamenti Ligjor i MKRS kishte konstatuar më 27.07.2016 se kjo federatë ka plotësuar kushtet për licencim dhe se Departamenti i Sportit i ka shkelur aktet juridike në fuqi. Pavarësisht kësaj, MKRS (konkretisht ministrat e sportit Kujtim Shala, Vlora Dumoshi dhe Kujtim Gashi) kanë refuzuar të dorëzojnë licencën për këtë federatë.
Bazuar në konstatimin e DL të MKRS dhe pas shqyrtimit të dosjes së FTK, edhe Ministria e Administratës Publike – Departamenti për OJQ – kishte aprovuar ndryshimet e kërkuara nga FTK dhe kishte konfirmuar se FTK udhëhiqet nga z. Gazmend Preniqi Kryetar.

Gjykata ka konstatuar se mosdorëzimi i licencës nga MKRS ka shkaktuar zbatim të ligjit në dëm të Federatës së Taekwondo-së të Kosovës. Gjykata ka urdhëruar MKRS-në që të merr parasysh kërkesën tonë për licencim dhe dorëzim të licencës, provat e përfshira në Aktgjykim (me theks opinioni juridik i Departamentit Ligjor të MKRS, vendimi i DOJQ-MAP dhe vendimi i Komisionit të Ankesave të MAP).  Gjykata e ka obliguar MKRS që në afat prej 30 ditësh nga pranimi i këtij Aktgjykimi të nxjerrë aktvendimin e lartpërmendur.

Gjykata në anën tjetër nuk e ka pranuar asnjë nga pretendimet e dorëzuara nga drejtori i Departamenti të Sportit Ibër Alaj.

Rikujtojmë se moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale dhe paraqet gjithashtu shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës