.
×

Gjykata Themelore e Prishtinës merr vendim për dy kosovarët që po kërkohen nga SHBA



Botapress 14 Qershor – Binak Gjergjaj dhe Ramiz Borduniqi u është caktuar nga 60 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ata gjatë ditës së sotme kanë dalë para gjykatës ndërsa u arrestuan të mërkurën në Istog, përkatësisht Gjakovë, në bazë të një urdhërarresti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Binak Gjergjaj, nga Klina, dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas së tij në Amerikë, disa vite më parë, raporton Insajderi.

Ndërkaq, Ramiz Borduniqi, akuzohet nga autoritetet amerikane për mashtrime milionëshe me trafikim të narkotikëve.

Përveç tyre, në këtë aksion të Policisë së Kosovës u arrestua edhe një tjetër kosovar i akuzuar dhe i kërkuar nga SHBA-të.

Bëhet fjalë për Imer Shahinin, vëllain e Remzie Shahini-Hoxhës, bashkëshortes së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Imer Shahini, miku i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, u arrestua në Fushë Kosovë të martën nën akuzat se ka kryer mashtrime milionëshe në Distriktin e Nju Jorkut në SHBA.

Atij, Gjykata i caktoi dje masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Burime të Insajderit brenda autoriteteve shtetërore të drejtësisë kanë konfirmuar se Shahini, Borduniqi dhe Gjergjaj pritet të ekstradohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).