.
×

Gjykata Speciale përshpejton procedurat e intervistimit – flasin avokatët



Në fund të muajit dhjetor po pretendohet se Gjykata Speciale do të ngritë aktakuzat e para ndaj personave që tashmë i ka intervistuar.Një ditë më parë, lajmi.net raportoi se Specialja i ka përshpejtuar procedurat e intervistimit, pasi që ish-luftëtarin e UÇK-së, Sejdi Berisha e ka ftuar nesër për intervistim edhe pse ai e kishte ftesën për t’u paraqitur në dhjetor.

Avokati i Speciales, Tomë Gashi i ka thënë sot lajmi.net se Specialja është në fazën përfundimtare të grumbullimit të provave para ngritjes së aktakuzave.

“Arsyeja e këtij përshpejtimi nëse mund ta quajmë ashtu, është se Gjykata Speciale është e formuar tanimë qe katër vitë dhe qe dy vite është funksionale në aspektin ligjor ka gjyqtarë të përzgjedhur nga Bashkimi Evropian, ka prokuorrë të përzgjedhur dhe defintivisht ata duhet ta arsyetojnë prezencën e tyre. Kështu që besoj se jemi në fazën përfundimtare të grumbullimit të provave para ngritjes së aktakuzave të para të Speciales”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar aktkakuzat mund të jenë të ngritura mirëpo jo të konfirmuara nga gjykatësi i procedurës paraprake.“Nuk ka datë të caktuar por nuk do jetë e largët koha kur do të ngritën këto aktakuza. Aktakuzat mund të jenë të ngritura por ndoshta jo të konfirmuara nga gjykatësi i procedurës paraprake, sepse një aktakuzë duhet të konfirmohet për të shkuar në gjykim”.

Edhe avokati, Arianit Koci është shprehur se nuk dinë datë të saktë për ngritjen e aktakzuave.“Nuk kemi informacion se kur do ngritën aktakuzat e para, është  normale që intervistimet ndaj të dyshuarve të vazhdojnë. Hetimet mund të kenë pushuar ndaj disa personave që janë intervistuar më herët dhe ndaj tyre nuk do të ngritën aktakuza”, ka thënë Koci për lajmi.net.

Sipas tij, aktakzuat tani mund të ngritën ndaj personave të cilët janë intervistuar 10 muaj më parë.