.
×

Gjykata Kushtetuese nuk ia zgjidh hallin Thaçit për KQZ-në



Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk i ka dhënë përgjigje Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, rreth dilemës së tij për përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas disa muajsh shqyrtimi të kërkesës, Kushtetuesja ka vendosur që kërkesën e Thaçit ta vlerësojë si “të papranueshme”.

Parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve], paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke shtruar pyetjet nga cilat grupet parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së.

Dilema e Thaçit është nëse anëtarët e KQZ-së duhet të emërohen nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës apo nga grupet parlamentare që janë krijuar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata  përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.