.
×

Gjykata ende pa vendim për mjekët e arrestuar



Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për Krime të Rënda, ende nuk ka vendosur masën për nëntë zyrtarët shëndetësorë të arrestuar dy ditë më parë.

Ata dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”.

Pjesë e këtyre dyshimeve janë edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretari i përhershëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, dhe ish-drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi.

Në prill të vitit të kaluar, njëri nga mjekët e arrestuar dy ditë më parë, kishte marrë ryshfet 6 mijë e 500 euro, pasi kishte dërguar 13 pacientë nga QKUK-ja në spitalet private, raporton KTV.

Për dërgimin e një pacienti në ndonjërin nga këto spitale private, besohet se mjeku në fjalë ka marrë ryshfet nga 500 euro.

Ndërkohë, dyqindenjëzetenjë kosovarë kanë vdekur në dy spitale private të zemrës, me të cilat Ministria e Shëndetësisë kishte marrëveshje për dërgimin e pacientëve.

Këto vdekje kanë ndodhur gjatë një periudhe dyvjeçare.

Marrëveshjet, për të cilat dyshohet se janë kryer nga zyrtarë të MSH-së dhe zyrtarëve të tjerë shëndetësorë të spitaleve private, ishin të paligjshme.

Megjithatë, ministria ka derdhur në arkat e spitaleve “IMH” dhe “EDA” më shumë se dy milionë e 100 mijë euro dhe një pjesë e madhe e këtyre parave kanë shkuar në xhepat e një grupi mjekësh.

Në kohën kur ministria kishte lidhur marrëveshje për dërgimin e pacientëve me spitalin “EDA”, Inspektorati Shëndetësor kishte urdhëruar mbylljen e tij, për shkak të mungesës së kushteve.

Përveç që spitali nuk kishte licencë, asnjë mjek nuk kishte licencë për zemër, mirëpo, pacientët dërgoheshin në mënyrë të organizuar.

Mënyra e rekrutimit dhe e përfitimeve të tilla nga një grup mjekësh është zbuluar nga përgjimi që u ka bërë Policia e Kosovës atyre, përcjell koha.net.

Nga këto hetime zbulohet trajtimi i keq i pacientëve, fyerja e tyre dhe vënia e epiteteve.

Ka raste kur me të moshuarit me infarkt nuk dinin çfarë të bënin. I quanin të varfër dhe i krahasonin me jashtëqitjen e njeriut.

I përfshirë në gjithë këto parregullsi është edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili ngarkohet me një dozë të madhe përgjegjësie penale.

Agani kishte kontakte të shpeshta me drejtorët e spitaleve, Ali Hocaoglun dhe Borçe Petrovskin. Mesazhet telefonike zbulojnë se Agani kishte ushtruar presion në Ministri që Petrovskit t’i paguheshin qindra e mijëra euro, ndërsa nga Ali Hocaoglu kërkonte lidhje për ta dërguar djalin për studime në Turqi. /koha/