.
×

Gjykata e dënon Shukin për këto arsyeje



Gjykata e dënon Shukin me burg e gjobë për posedim të narkotikëve. Moderatori Mentor Shuki, të martën, është dënuar me një vit burgim me kusht dhe me 200 euro gjobë, pasi ka pranuar fajësinë për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Naser Foniqi, dënimi me kusht ndaj Shukit nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës prej një viti ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër në këtë rast, Nebojsha Deniç për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv, pasi i njëjti kishte lidhur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për pranimin e fajësisë.

Dy të akuzuarit janë obliguar të paguajnë edhe shpenzimet e procedurë, dhe në emër të paushallit gjyqësor secili nga 50 euro.

Po ashtu, atyre iu janë konfiskuar edhe substancat narkotike të cilat ishin sekuestruar nga ana e policisë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 9 shtator, Shuki e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 gusht 2019, thuhet se policia gjatë kontrollimit të të akuzuarit Mentor Shuki, më 21 mars 2019, kishin gjetur se pa autorizim kishte poseduar një qese të vogël, e mbushur me substancë narkotike e dyshua si amfetamine, në peshë 4 gramë, dy boca të xhamit të mbushura me tretësirë të lëndët e dyshuar si substancë narkotike GHB, ku njëra prej tyre kishte pasur peshën 84 gramë.

Ndërkaq, i akuzuari Nebojsha Deniç, akuzohet se kishte shitur substancë narkotike dhe gjatë kontrollimit të policisë ishin gjetur dhe konfiskuar 149 gramë substancë narkotike, e llojit amfetamine, 204 gramë marihuanë, 17 gramë fara kanabisi dhe një peshore digjitale.

Prokuroria të akuzuarin Shuki e ngarkonte me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa të akuzuarin Deniç me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.