.
×

Gjykata dështon ta njoftojë Adelina Ismailin për rastin e Enver Sekiraqës



Adelina Ismaili ishte dashur të të jetë sot në gjykatë për të dëshmuar për rastin e Enver Sekiraqës, që akuzohet se ka lidhje me vrasjen e policit, Triumf Riza. Gjykata, megjithatë e kishte ftuar Ismailin, por nuk ka arritur t’ia gjejë adresën dhe numrat e saktë kontaktues. Për shkak të këtij dështimi, u pajtuan që deklaratat e saj të mëhershme në procesin e kaluar gjyqësor, të konsiderohen të lexuara.

Është duke vazhduar rigjykimi për vrasjen e policit Triumf Riza, ku si nxitës i kësaj vepre po akuzohet Enver Sekiraqa.

Gjyqi momentalisht është duke u zhvilluar me dëshmi të dëshmitarëve. Gjithsejtë kanë mbetur edhe katër dëshmitarë të prokurorisë që duhet të dëgjohen lidhur me këtë rast.

Trupi gjykues i këtij rasti, me kryetar gjyqtarin Shasivar Hoti, bënë të ditur se Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së Adelina Ismailit dhe numrat kontaktues,

Kjo ka dështuar për shkak se, u vërtetua se adresa dhe numrat janë jo valid e jo funksional. Gjithashtu, Gjykata nuk ka arritur ta gjejë vendndodhjen e këngëtares Adelina Ismaili.

Si dëshmitare e rëndësishme e këtij procesi gjyqësor, kështu siç e vlerësoi Prokurori i lëndës Haki Gecaj, tha se pajtohet që deklaratat e saj të dhëna më parë në polici e prokurori, të pranon si të lexuara.

“Dëshmitarja që ka pasur të dëgjohej sot është dëshmitare e rëndësishme, mirëpo nga shkresat e lëndës që unë i posedoj, ajo ka dhënë deklaratë në polici dhe në prokurori, gjithashtu edhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor… , unë do të isha pajtuar që të lexohen deklaratat e kësaj dëshmitareje të dhëna më parë”, tha prokurori Gecaj.

E avokatja e të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi tha se Adelina Ismaili është sqaruar lidhur me deklaratat e saj, të cilat i ka dhënë në fazat e mëhershme.

“Mbrojtja pajtohet me leximin e deklaratës së dëshmitares, në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, për faktin se gjatë atij gjykimi, dëshmitarja në fjalë është sqaruar edhe lidhur me deklaratat e saj të cilat i ka dhënë në fazat e mëhershme. Andaj, unë vetëm do të lusja trupin gjykues që gjatë leximit të deklaratave të kësaj dëshmitareje, sigurisht të ketë parasysh vetëm rrethanat lidhur me pikën e 1 të aktakuzë”, tha Kelmendi.

Pas pajtimit të palëve, u dha aktvendim për aprovimin e kërkesës së prokurorit se deklaratat e dëshmitares Adelina Ismaili, të dhëna nga fazat e procedurës, të konsiderohen si të lexuara.

Por, kur u fol për dëshmitarët që do të japin dëshmi në seancat e ardhshme, mos pajtime pati midis prokurorit dhe avokates së Enver Sekiraqës.

Fjala është për dëshmitarin Shpend Qerimi, për të cilin avokatja Kelmendi, propozoi që të mos dëgjohet në këtë cilësi në këtë çështje penale, sepse sipas saj, Qerimi nuk mund të jetë dëshmitar objektiv, madje as nën betim, tha ajo.

“Propozoj që Shpend Qerimi të mos dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje penale, sepse ky dëshmitar, sikurse Besnik Hasani, nuk mund të jetë dëshmitar objektiv, madje as nën betim, sepse janë persona të cilët kanë tentuar të vrasin të akuzuarin, duke kryer veprën penale shpërthimin në rrugën Bill Clinton”, tha Kelmendi.

“Persona të njohur për vrasje të pesëfishta. Aq më tepër të dëgjohet ky dëshmitar, që nuk ka fare relevance me objektin e akuzës. Qëndron fakti se në gjykimin e kaluar, prokurori ndërkombëtar në mungesë të provave direkte është munduar që gjithsesi të mbledhë copëza rrethanore..”, tha avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa.

E prokurori Haki Gecaj për dëshmitarin e propozuar, tha se prokuroria i ka dhënë propozimet për dëshmitarët e saj, kurse me objektivitetin e dëshmitarëve merret Gjykata.

Si dëshmitare në këtë proces gjyqësor ka qenë edhe e ndjera, nëna e Adelina Ismailit, Mona Ismaili. Mirëpo, pasi ajo ka ndërruar jetë, u propozua që edhe deklaratat e saj të mëhershme të konsiderohen të lexuara.

Trupi gjykues bëri të ditur se në këtë proces gjyqësor janë edhe katër dëshmitarë që do të dëgjohen në seancat e radhës: Ema Ismjali, Zanfina Ismajli, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.

Enver Sekiraqa po gjykohet nën akuzat e prokurorisë për nxitjen e vrasjes së policit nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës Triumf Riza. Sekiraqa në vitin 2016 ishte dënuar me 27 vjet burg.

Rasti u kthye në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes, Kosovare Kelmendi.

Enver Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen “Santea” më Prishtinë.