[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

“Gjithçka dështon”: Nuk votohet asnjë projektligj nga deputetët e Kuvendit



Botapress 29 Tetor- Me shumë mungesa dhe nisje një orë me vonesë e seancës së Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar projektligjet e mbetura nga seancat e kaluara. Ani pse janë hedhur në votim pikat e papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8 dhe 16 tetor 2020, ato dështuan.

Këto pika janë duke u hedhur në votim që disa herë radhazi por mospjesëmarrja në votim, herë e partive të pushtetit e herë atyre të pozitës ka bërë që ato të mos miratohen.

Edhe një herë pjesëmarrja në votim e vetëm deputetëve të PDK-së, ka bërë që të dështojë miratimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Gjithashtu ka dështuar edhe votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, që është mbështetur vetëm nga LVV-ja.

Nuk është votuar as Propozim-rezoluta nga Interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Mbështetje për të kaluar nuk ka marr as Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, i cili është propozuar nga PDK-ja.

Deputetët kanë votuar edhe për pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 8, 12 dhe 16 tetor 2020. Nuk është miratuar në parim as Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete, ndërkohë që rezoluta nga Interpelanca me Kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike, nuk është hedhur në votim.

Për shkak se nuk janë mbështetur nga LVV-ja ka dështuar edhe miratimi i tri projektligjeve për tri marrëveshje ndërkombëtare.

Asaj ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe asaj për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan./Botapress.info/

Menu Title