.
×

Gjilani ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbarë të vitit shkollor, mësimi zhvillohet në katër gjuhë



Komuna e Gjilanit është gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019 në katër gjuhë, ka njoftuar kryetari Lutfi Haziri, pas vizitës që i ka bërë kampusit të shkollave të mesme së bashku me drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica.

“Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, jemi duke punuar në baza ditore me drejtorët e shkollave dhe punëtorët e arsimit. Pjesë e përgatitjes për fillimit të vitit të ri shkollor është edhe Shkolla e Arteve, disa palestra e terrene hapura sportive. Ne besojmë që më 3 shtator jemi të gatshëm të fillojmë me mësimin në katër gjuhë: shqipe, serbe, turke e rome”, ka deklaruar Haziri.

Drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, ka pohuar se janë në procesin e rekrutimit të mësimdhënësve dhe punëtorëve teknik, duke shtuar se në profilet për edukatore dhe klasor, ka një fluks të madh të konkurrentëve për shkak të nxjerrjes masive të kuadrove.

“Tashmë fillojmë me fazën e dytë të regjistrimit të nxënësve në klasën e 10-të, e më datën 28 gusht e kemi edhe raundin e dytë të testit të maturës. Të gjitha përgatitjet tjera i kemi bërë dhe besojmë që me 3 shtator do të jetë një fillim i mbar i vitit shkollor”, tha Gagica.

Gjatë vizitës në kampusin e shkollave të mesme, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ripërsëritur se arsimit vazhdon të mbetet prioriteti i parë i qeverisjes. ​