.
×

Gjeniu 9-vjeçar gati të diplomohet nga universiteti



Në fëmijë gjeni nga Belgjika do të diplomohet në nivelin Bachelor në moshën 9-vjeçare. Laurent Simons po studion inxhinieri elektrike në Eindhoven University of Technology (TUE)– një degë e vështirë edhe për studentët normalë.

Nga stafi, Laurent është përshkruar si “thjesht i jashtëzakonshëm” dhe pritet që të përfundojë arsimin e lartë në dhjetor.

Më pas, djaloshi ka në plan të hyjë në një program PhD në inxhinieri elektrike teksa nis të studiojë për mjekësi.

Prindërit e tij, Lydia dhe Alexander Simons, mendonin se gjyshërit e Laurent-it e ekzagjeronin kur thonin se djali është shumë i zgjuar. Për fat të mirë, talentin e tij e vunë re edhe mësuesit.

“Vunë re diçka të veçantë te Laurent,” tha Lydia.

Laurent bënte provim pas provimi që mësuesit të kuptonin deri ku shkonte inteligjenca e tij, “Na thanë se ishte si sfungjer,” shtoi Alexander.

Laurent vjen nga një familje mjekësh, por sidoqoftë, prindërit s’i japin dot shpjegim aftësisë së djalit për të mësuar gjithçka me shpejtësi.

Lydia ama, ka teorinë e saj.

“Kam ngrënë shumë peshk kur isha shtatzënë me Laurent-in,” tha ajo me shaka.

TUE ka lejuar Laurent të përfundojë nivelin e studimit më shpejt nga studentët e tjerë.

“Nuk është e pazakontë,” tha Sjoerd Hulshof, drejtor i edukimit në nivelin Bachelor për inxhinieri elektrike në TUE. “Studentë të veçantë, që kanë arsye të forta për përshpejtimin e studimit mund të përfundojnë më herët. Në të njëjtën mënyrë ndihmojmë edhe studentët atletë.”

Hulshof e quajti Laurent “thjesht të jashtëzakonshëm.”

“Laurent është studenti më i shpejtë që kemi pasur ndonjëherë,” tha ai. “Jo vetëm që është tejet inteligjent, por edhe i sjellshëm.”

Laurent tha se lënda e tij e preferuar është inxhinieria elektrike dhe “pak mjekësi.”

Progresi i tij është vënë re nga universitete në gjithë botën që po i propozojnë një vend studimi për fazën tjetër të jetës së tij akademike, shkruan anabel. Familja e tij preferon të mos i bëjë publikë emrat e këtyre institucioneve.

“Përthithja e informacionit s’është problem për Laurent,” tha babai i tij. “Mendoj se fokusi do të jetë te puna kërkimore dhe aplikimi i njohurive për të zbuluar gjëra të reja.”

Ngaqë Laurent mund të mësojë më shpejt se të tjerët, prindërit e tij bëjnë çmos që 9-vjeçari të argëtohet.

“Nuk duam të bëhet shumë serioz. Bën çfarë të ket qejf,” tha Alexander. “Duhet të gjejmë balancën mes të qenit fëmijë dhe gjeni.”

Laurent tha se i pëlqen të luajë me qenin dhe me telefoni, si plot fëmijë të tjerë. Në dallim nga 9-vjeçarët e tjerë, ai e ka vendosur çfarë do të bëjë në jetë: të zhvillojë organe artificiale.

Për momentin, Laurent duhet të përfundojë nivelin Bachelor dhe të zgjedhë shtëpinë e ardhshme akademike në këtë rrugëtim të pashoq. Tani për tani po planifikon të shkojë me pushime në Japoni, thjesht sepse e meriton.