.
×

Gjenerali serb: Në Kosovë duhet të më ngrisin përmendore, jo padi



Gjenerali serb në pension Ljubisha Dikoviq tha se nuk befasohet që sërish të vihet në pikëpyetje roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I akuzuari për krime lufte me rastin e marrjes së informacionit se gjyqësori i Kosovës ka përgatitur një aktakuzë për krime të dyshuara të luftës kundër ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Serbisë, thotë se njësitë që ai komandoi nuk kanë kryer ndonjë krim lufte.

Dikoviq shtoi se një nga detyrat prioritare gjatë luftës ishte kujdesi për popullatën lokale dhe refugjatët. Madje, ai shkoi aq larg saqë tha se kosovarët duhet t’i ngrisin atij një përmendore për rolin e tij në luftën e Kosovës

“Sa jemi kujdesur gjatë luftës në Kosovës për civilët shqiptarë, ata duhet të më ngrenë një përmendore, e jo padi”, u shpreh Dikoviq për gazetën serbe Novosti.

Sipas tij, gjatë bombardimeve në Serbi kishte deri në 15,000 shqiptarë për të cilët u kujdesën, i ushqyen dhe i furnizuan me barna.

“Asgjë nuk u ka munguar, i kemi trajtuar më mirë se ushtarët tanë”, tha Dikoviq.

Ndryshe, Fondi për të Drejtën Humanitare kohë më parë kishte pohuar se ka dokumente që dëshmojnë se shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë e Çikatovë e Vjetër si dhe për fshehjen e trupave në varrezën masive në Rashkë. /Reporteri.net