.
×

Gjakova dërgon Jabllanoviqin në Gjykatën Kushtetuese



Dorëheqja e Aleksandër Jabllanoviqit nga pozitat aktuale në Qeverinë e Kosovës, më nuk do të jetë kërkesa e vetme e qytetarëve të Gjakovës.

Këshilli organizues i protestave, që kësaj radhe në përbërje është zgjeruar me aktivistë nga shoqëria civile, disa OJQ që veprojnë në Gjakovë, përfshirë OJQ-në “Thirrjet e Nënave”, më pas përfaqësuesit e OVL të UÇK -së në Gjakovë, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike që veprojnë në këtë qytet, ditën e shtunë, datë 17 janar 2014, përveç thirrjes për protestë nga ora 14:00, do të ftojë qytetarët, që nga ora 11:00 të nënshkruajnë dëshminë për kallëzim penal, ndaj fyerjeve që ju bëri qytetarëve të Gjakovës, respektivisht nënave gjakovare, ministri Jabllanoviq.

Këshilli i shoqërisë civile, ka marrë përsipër përpilimin dhe mbledhjen e intervistave të qytetarëve, të cilët në mënyrë vullnetare do t’i japin ato.

Shkëndije Hoda, nga Këshilli në fjalë, tha përmes një bisede telefonike për KosovaPress, se nga nesër në orën 11:00, në qendër të qytetit, për shtatë ditë me radhë do të mbledhin intervistat dhe dëshmitë e qytetarëve të cilët ndjehen të fyer nga deklaratat e Jabllanoviqit drejtuar nënave gjakovare.

Hoda thotë se pas një jave, do të mblidhen të gjitha dëshmitë për kallëzim penal dhe në pesë kopje, të bashkangjitur edhe me video-deklaratën fyese të Aleksandër Jabllanoviqit, do tu dërgohen nga një kopje: Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Themelore në Gjakovë, Kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, Kryeministrit Isa Mustafa dhe Avokatit të Popullit.

Këshilli punues i shoqërisë civile në Gjakovë, duke u thirrur në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, neni 147, ka marrë këtë iniciativë për mbledhjen e dëshmive të qytetarëve.

Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, në rast të deklaratave publike të cilat nxisin urrejtje, përçarje ose mos durim kombëtar, racor, fetar apo etnik, atëherë bëhet shkelje e Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të saj, në këtë rast të Kodi Penal i Kosovës, Neni 147, ndër të tjera thotë:

KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Neni 147

Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik

1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

2. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, ofendoi rëndë protestuesit në Gjakovë, në një deklaratë të tij dhënë mediave me datë 6 janar. Ai atë mbrëmje, ndër të tjera, deklaroi:
“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi”. /KP/