.
×

Gëzimi Muçolli: Facebooku dhe statuti i Romës



Ka disa ditë që po i shoh të përsëritura postimet e një Deklarate personale publike, që edhe disa nga miqtë e mi të Facebook-ut po e shpërndajnë.
Interesant !
Duken edhe serioz dhe harrojnë se askush nuk i detyron që të postojnë fjalë, fotografi apo video në këtë rrjet social.
Duket qesharak edhe deklarimi pothuajse solemn me këtë përmbajtje gati si preambulë:
“Unë nuk i jap leje facebook-ut ose njësive të lidhura me lejen e facebook, për të përdorur fotografitë e mia, informacionet e mia, mesazhet e mia ose postimet e mia, të shkuara dhe të ardhshme.”
Pastaj vazhdojnë seriozisht, thuajse janë themelues apo ortakë të rrjetit social dhe mund të marrin vendime si në shtëpi të vet:
“Me këtë deklaratë, unë paralajmëroj facebook se është zyrtarisht e ndaluar për të hapur, kopjuar, shpërndarë ose marrë ndonjë masë tjetër ndaj meje në bazë të këtij profili dhe / ose përmbajtjes së tij.
Përmbajtja e këtij profili është informacion privat dhe sekret. Shkelja e privatësisë mund të ndëshkohet nga ligji (UCC 1-308-1 1 308-103 dhe statutin e Romës).” !!!
Vlen të theksohet se ky mesazh që po shpërndahet këto ditë te populli shqiptar i Facebook nuk është virus e as nuk bëhet fjalë për ndonjë mashtrim të vërtetë. Nuk është as i ditëve të sotit sepse qarkullon nëpër faqet e përdoruesve të rrjetit që nga viti 2015.
Ky është një mesazh që zakonisht e shpërndajnë njerëzit e painformuar mirë dhe përveq që nuk ka kurrfarë kuptimi i bënë ata që të duken se nuk janë persona seriozë.
Kuptojeni nhjëhere e përgjithmonë se nuk ekziston ligji UCC 1-308-1 1 308-103 .
Nuk ekziston asnjë tekst normativ o ligjor me titull “Statuti i Romës” që merret me materien e mbrojtjes së privatësisë (privacy) online.
Statuti i Romës, ai i vërteti të cilin shpesh e quajnë Statuti i Gjyqit Penal Internacional, i firmosur në vitin 1998, ka hyrë në fuqi më 2002 dhe është modifikuar në vitin 2010, përcakton parimet themelore, juridiksionin, kompozicionin dhe funksionet e organeve të organizimit internacional, si dhe raportet me Kombet e Bashkuara, me organizatat ndërqeveritare, internacionale e joqeveritare , institucionet dhe funksionet e Ansamblesë së shteteve që marrin pjesë.
Jo per mahi , ka njerëz në Evropë që thonë se mjafton ta lexosh fjalinë e parë të një Deklarate të tillë per të pasur motiv që ti hiqet përgjithmonë Diploma e Shkollës Fillore atij që shpërndanë “përralla” të tilla.
Mos keni dert sepse askush nuk mund t’jua heqë diplomat e fakultetit e as titujt akademikë e shkencorë pse e keni bërë këtë deklaratë.
Derisa vazhdoni,pa ju detyruar askush, të postoni gjithfarë budallakinash në Facebook, mos harroni se ai është rrjet që ju njeh më mirë se që e njihni veten tuaj. E di të kaluarën dhe të tashmen tuaj sepse ju kështu keni dashur, duke menduar se vetëm miqtë tuaj apo fqinjtë xhelozë e ziliqarë mund ti beni të vuajnë. Sot mos vuani ju e mos shpërndani Deklarata budallakie, por së paku përpiquni të lexoni e të mësoni diçka të re.
Ty që e lexove deri këtu, nuk të kam shtyrë unë ta pëlqesh e as nuk të kërkoj “like”.
Me rëndësi është që mund ti tregosh dikujt tjetër se kupton më shumë se që kanë menduar per ty.
4 gusht 2019, e shkruar në shtetin që e e ka kryeqytet Romën.